TIRANE- Ish-kryeministri Pandeli Majko, aktualisht deputet i Partisë Socialiste ka deklaruar se është kundër ligjërimit të martesave të të njëjtit seks në vendin tonë. Deklarata e tij u bë pas rekomandimit të Avokatit të Popullit, Igli Totozani, për ndryshimin e Kodit të Familjes, që do u hapte rrugë këtyre martesave. “Unë jam në kategorinë e njerëzve tradicionalë, që mbështes familjen. Megjithatë, vendosa të jem këtu për t’ju dëgjuar dhe për të vlerësuar si të drejta legjitime ato të komunitetit tuaj. Ne e respektojmë një grua burrnesh. Për mua personalisht ka qenë një kënaqësi e veçantë të takoj një të tillë, ndërkohë që e kundërta më ka ndodhur me një person të krahut tjetër. Prandaj dua t’ju them se edhe ju vetë duhet të jeni mirëkuptues ndaj atyre që nuk ju pëlqejnë”, u shpreh Majko, ndërsa shtoi se ky komunitet është dëgjuar edhe falë Avokatit të Popullit, “që na nxiu jetën me këtë çështje”.
Kundër martesave gay është shprehur dhe deputetja e PDsë,Mesila Doda, e cila e ka cilësuar këtë ndryshim, si një atentat ndaj familjes. “Pa asnjë mëdyshje a hezitim, deklaroj se kjo marrëzi është atentat i pastër kundër vlerave të familjes dhe kundër modelit që Zoti krijoi mbi tokë dhe që shoqëria dhe institucionet kanë detyrë ta ruajnë dhe ta promovojnë, që konsiston në modelin e bashkimit burrë dhe grua dhe gjithë brezave që rrjedhin prej tyre. Një strategji e tillë nuk është e pamenduar, por rrjedhojë e një lobimi të fuqishëm politik pro-gay ekzistues për fat të keq në gjitha institucionet politike dhe vendimmarrëse, shqiptare dhe europiane”, deklaroi Doda, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: