TIRANE- Pas marrëveshjes së arritur mes Malit të Zi dhe Kosovës për demarkacionin, ka reaguar presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Në një reagim për mediat Meta përshëndeti vendimin mes dy vendeve, ndërsa shtoi se Mali i Zi është partner i shkëlqyer.

“Mali i Zi partner i shkëlqyer i shqiptareve. Miratimi i Demarkacionit do sjelle një pranvere europiane për Kosovën e qytetarët e saj”, tha Meta.

Më herët vendimin e përshëndeti edhe kryeministri Rama. “Rrugës për Prishtinë ku sapo dëgjova për hapin e rëndësishëm drejt finalizimit të demarkacionit me Malin e Zi!Uroj të mbyllet sa më parë????”, shkruante Rama.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar qytetarët e Kosovës për këtë ankes-marrëveshje për Demarkacionin. “Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen. Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në formën e aneks-marrëveshjes si instrument ligjor detyrues ndërkombëtar, i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. Kjo deklaratë e dy presidentëve erdhi pas vizitës dy ditëshe të kryeministrit malazez, Dushko Markoviç.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: