KORCE- Kur kanë kaluar 6 muaj nga vrasja e 23-vjeçarit Marsel Osmani në një lokal tallavaje në fshatin Dishnicë të Korçës, policia ka arrestuarit edhe autorin e dytë të krimit.

“Specialistët e Seksionit për Krimet e Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim: Llazar Dine, 35 vjeç, banues në fshatin Dërsnik-Korçë. Në vijim të hetimeve dhe dokumentimit me prova ligjore të kësaj ngjarje, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendim penal nr 57 të datës 22.02.2017, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë: “Arrest në burg”, për veprën penale: “Plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekje” parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal. Sqarojmë se shtetasi i mësipërm, rezulton bashkëautor me pronarin e lokalit shtetasin Olsi Zyber, i cili u arrestua nga Policia menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja. Të dy këta shtetas, janë konfliktuar për motive të dobëta me 23 vjeçarin M.O, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen në Spitalin e Traumës në Tiranë’, thuhet në njoftimin e policisë.

SI NDODHI NGJARJA
Më 29 gusht të 2016, 23-vjeçari Marsel Osmani nga fshati Dishnicë u dhunua barbarisht nga pronari i një lokali me muzikë tallava, Olsi Zyberi.

Ky i fundit e ka rrahur barbarisht me shkop të riun me shkop, duke e qëlluar atë edhe me thikë pas koke dhe më e pas e ka lidhur pas makinës duke e tërhequr zvarrë, për ta hedhur më pas në kanal.

Marsel Osmani, sipas policisë kishte shkuar në lokalin e Olsi Zyberit, ndërsa pas një debati për motive të dobëta është rrahur barbarisht nga Zyberi.

23-vjeçari është gjetur nga të afërmit e tij në kanal dhe është transportuar në gjendje kritike në Spitalin e Traumës, por ai nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve të marra.

Policia e Korçës ka arrestuar që ditën e ngjarjes autorin Olsi Zyberi, ndërsa shpalli në kërkim bashkëpunëtorin e tij, Llazar Dine, i cili u arrestua ditën e sotme.

Sipas Policisë, motivi i kësaj ngjarjeje mendohet të kenë qenë sherri për një femër në lokal.

Në të njëjtin lokal tallavaje në Dishnicë edhe më herët kanë ndodhur sherre e përplasje për motive banale ndërmjet klientëve të ndryshëm, por vrasja e 23-vjeçarit Marsel Osmani ka qenë ngjarja më e rëndë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb