NGA: ENIDA HIMAJ*
Maya është ndër ato këngëtare që në 10 vite karrierë ka ditur se si të vijë ndryshe për publikun shqiptar dhe jo vetëm. Muzikën popullore shpeshherë e ka shoqëruar edhe me risi, por gjithnjë duke i qëndruar besnike ritmit ballkanik. Për “Summer Pages”, këngëtarja rrëfen se si e shikon ajo sot këtë treg muzikor. Sipas saj, këngëtarët e muzikës popullore vijojnë të mbeten më të pëlqyerit e publikut si dhe më profesionistët, duke qenë se me orë të tëra këndojnë ‘live’. Të gjithë e kemi njohur Majën edhe si aktore, që në fakt është edhe profesioni i saj. Gërshetimi i dy profesioneve, duket se ka bërë që sot të jetë ndër këngëtaret më të realizuara dhe të kërkuara në trevat shqipfolëse. E bekuar ndihet edhe në jetën private, ku prej disa vitesh po shijon dashurinë me bashkëshortin e saj, Benin…

Si e ka gjetur kjo verë Mayn, sa e zënë keni qenë në këtë sezon?
Në fakt si gjithmonë, si vera, si vjeshta, si dimri, janë pothuajse njëlloj. Gjëja më e mirë në verë, duke marrë parasysh lodhjen, është se ne jemi në Shqipëri, pra brenda kufijve. Ne jemi një vend i vogël dhe qytetet i kemi afër, pra kemi mundësinë të lëvizim thjesht. Risia e kësaj vere është “Maratona e Këngës Popullore”. Deri më tani kemi qenë në katër qytete. Disa janë dhënë nga televizioni “Klan”, disa të tjera ende. Unë këtë vit jam paraqitur me një këngë të re, të Adrian Hilës, e cila është pritur shumë mirë. Kam përzgjedhur një tekst të Andon Zako Çajupit, “Mëmëdheu”. Më vjen mirë që nga Maratona edhe unë u bëra mbarë të sillja një produksion të ri. Sepse kanë kaluar dy vjet që nuk kisha sjellë një këngë. Kjo për shumë arsye. Unë përpiqem që gjithmonë të sjell diçka cilësore dhe impenjohem shumë, si dhe kam pasur shumë impenjime këtë periudhë.

Jeni marrë më shumë me koncertet apo me këngët e reja këtë periudhë?
Me të dyja së bashku në të njëjtën kohë. Madje është gati duke dalë edhe kënga tjetër, e cila po përfundon dhe është një impenjim shumë i madh.

Çfarë është më fitimprurës në Shqipëri, një klip apo një koncert?
Klipi është vetëm shpenzim, s’ka fitim. Duhet menduar mirë, sepse është një prodhim, jo fitim. Fitimet janë të kënduarit ‘live’ apo koncertet dhe gëzimet familjare ku marrim pjesë.

Si e shikon Maya tregun muzikor sot në Shqipëri?
Shumë rrëmujë, të jem e sinqertë. Nuk dua deri në fund ta them mendimin tim, sepse jam pjesë e kësaj gjëje. Unë mundohem që këngët e mia të sjellin një mesazh, të jenë kreative dhe të dashura për publikun. Për hir të së vërtetës, tregu është tepër i cunguar nga krijimet abuzive. Që një këngë të bëhet hit, duhen fjalë kot; gjithashtu ka shumë këngëtarë që nuk janë këngëtarë të vërtetë. Është bërë tregu “vishu-zhvishu”, dhe nuk më pëlqen. Megjithatë, në gjithë këtë rrëmujë, artistët e vërtetë dalin në sipërfaqe. Publiku ëshë ai që, sado të vijnë emra të rinj, gjithmonë di të zgjedhë se cili ndër ta është cilësor.

Mendoni se ka më shumë fenomene muzikore sesa këngëtarë?
Këngëtarë ka shumë, por fenomene ka edhe më shumë. Megjithatë mendoj se janë të përkohshme.

Po “braktiset” sot muzika popullore, qoftë dhe nga vetë artistët?
Ka një farë tendence për t’u bërë pjesë e së resë. Unë nuk jam kundër risisë, sepse edhe vetë kam bërë të tilla këngë. Është me modë, dhe në këtë kohë po pëlqehet muzika moderne, d.m.th. hip-hop, dance dhe rryma të tjera. Këngëtarët e muzikës popullore janë më të përgjegjshëm.

A janë më të varfër këngëtarët e muzikës popullore se këngëtarët e tjerë?
Asnjëherë! Nuk besoj, sepse ne jemi ballkanas, dhe gjërat që janë në gen nuk ndryshojnë kurrë. Sido që të jetë koha, muzika popullore do të jetë e preferuara e publikut. Thjesht lodhen më shumë, pasi këndojnë vetëm ‘live’, gjë që nuk ndodh me këngëtarët e tjerë.

Vetë Maya, e ka menduar një kalim te muzika komerciale?
Komerciale duhet të jetë kënga, që të shitet, pasi për këtë krijohet. Komercialja nga abuzivja ka ndryshim. Unë nuk do të abuzoja me zërin tim, me muzikën, me asgjë. Unë i mendoj mirë këngët’ duhet të ketë një mesazh, një peshë të caktuar kënga që bëhet.

A keni rivalë?
Rivaliteti është së bashku me profesionin, si në çdo profesion tjetër. Gjithmonë shoh se çfarë bëhet te kolegët. Unë tërhiqem nga qëllimet e mia, shoh rrugën time. Por s’mund të kesh rivalitet me artistë të patalentuar.

10 vjet karrierë; si ia keni dalë ndër gjithë këto vite?
Rezultati është pozitiv. Njeriu bën bilancet në fund, dhe i them faleminderit fillimisht vetes sime. Sepse pritet shumë nga këngëtarët dhe sfidën e kemi me veten fillimisht.

Maya nga Vlora, a këndoni muzikë nga Veriu?
Me shumë dëshirë. Publiku që më dëgjon ‘live’ e di se si i këndoj unë ato këngë. Më pëlqejnë shumë, sepse kanë muzikalitet dhe kanë ritme shumë të bukura.

Ndërkohë ju kemi parë edhe si aktore; si ishte për ju ky kalim?
Në të vërtetë unë kam kaluar nga aktore në këngëtare. Është profesioni im i parë, i diplomuar. E kam ushtruar në Gjermani, në dy role në teatër dhe një në film, dhe kaq ka qenë. Unë u mora me këngën dhe mora një drejtim tjetër. Ama brenda vetes sime e dija se unë isha aktore. Erdhi një moment kur pata një ofertë nga Teatri Kombëtar, nga regjisori Spiro Duni, dhe unë e përqafova me shumë dashuri. Lashë një periudhë muzikën, për t’iu dedikuar aktrimit. Publiku im mori vesh edhe se si isha unë edhe si aktore. Nga ana tjetër, edhe vetë mora një kënaqësi shumë të madhe.

A keni menduar ndonjëherë të braktisni një profesion për tjetrin?
Jo, nuk e kam menduar ndonjëherë. Do ta gërshetoja përsëri nëse do të më vinte një mundësi të dytë.

Si po shkon jeta private e Mays?
Fatmirësisht po kalon shumë mirë. Gjithçka që na ndodh është një farë destinacioni që është i shkruar. Më erdhi në jetë një njeri i cili ma bëri jetën edhe më të bukur. Jam e kënaqur, na ka parë Zoti edhe në këtë pikë!
(ed.me/summerpages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb