Nga: Erjon Skëndaj*

TIRANË- Pas 12 ditë fushatë intensive në News 24, Balkanweb, Gazeta Shqiptare e Radio RASH janë mundur të grumbullohen afër 60 mijë euro ndihmë për transplantin e vogëlushit Kristi Maze. Ndërkohë kanë nisur kontaktet e para me mjekët e spitalit të Bergamos ku sipas të gjitha gjasave do të mundësohet transplanti i mëlçisë së fëmijës. Ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë sinjal për bisedimet që kjo ministri deklaron se po kryen me një klinikë transplantesh në Itali.

Një kontribut të rëndësishëm për kurimin e fëmijës së sëmurë në vlerë 5 mijë euro ka dhënë edhe zonja Liri Berisha presidente e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”.

Shuma e grumbulluar deri më tani hap dritën jeshile që 10 vjeçari të mund të transportohet nga spitali “Nënë Tereza” drejt Spitalit të ri të Bergamos ku do mund ti nënshtrohet transplantit të mëlçisë që llogaritet në 150 mijë euro.

Ndërkohë kutia e ndihmës është vendosur gjatë paradites para Pallatit të Kongreseve ku po zhvillohet panairi i librit. Mes mijëra qytetarëve në panair ata që iu përgjigjën të parët thirrjes shpëtoni Kristin ishin bashkëmoshatarët e tij.

Një kontribut të rëndësishëm në vlerë 5 mijë euro për kurimin e fëmijës së sëmurë ka dhënë edhe zonja Liri Berisha, Presidente e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”.
Drama e vogëlushit Kristi ka prekur thellë edhe emigrantët shqiptarë në Europë, Amerikë dhe Kanada.

Artur Metushi, nga Elbasani emigrant në Angli ka dhuruar edhe 4 mijë euro të tjera për Kristin, ndërsa më herët kishte ofruar një shumë prej 5 mijë eurosh.

Jo vetëm shqiptarët por dhe shtetas amerikanë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri kanë vendosur ti bashkohen nismës iniciuar nga News 24 të shpëtojmë Kristin. Antoni Leo Ambasador Kulturor i Fullbraitit në Shqipëri ka vendosur të hapë një llogari në internet prej nga ku të mund të mblidhen ndihma për Kristin.

“Pasi të marrim informacionin, do të hapim një llogari që quhet Gofundme.com është një platformë ndërkombëtare në internet për të thithur donacione për vogëlushin. Nëpërmjet kësaj platforme do të ishte e lehtë për mua të shkoj te qytetari amerikan dhe në veçanti të qytetari amerikan me origjinë shqiptare të cilët ndjejnë nevojën për të ndihmuar këtë fëmijë”, tha Antoni Leo.

Pjesë e kësaj nisme humane janë bërë edhe punonjësit e kompanisë Vodafonë si dhe artistët e Teatrit Kombëtar.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: