GREQI– Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar nga policia greke, pasi janë kapur duke transportuar çanta me kanabis. Në brendësi të kufirit të shtetit fqinj, policia greke ka pikasur dy shqiptarë që po transportonin në këmbë tre çanta. Ndalimi i tyre u bë në Asproklisi, në një zonë bujqësore në Igumenicë.

Nga kontrolli i ushtruar, në çantat e tyre janë gjetur 60 pako me 66 kg 42 gramë marijuanë. Në pranga u vunë dy të rinjtë shqiptarë 25 dhe 28 vjeç, si dhe u sekuestruan dy celularë.

Sakaq, një tjetër i ri shqiptar është arrestuar në po të njëjtë zonë. Policia greke ka arrestuar një 25-vjeçar shqiptar, i cili transportonte në këmbë një çantë me një pako, e cila kishte 978 gramë marijuanë.

NJOFTIMI I POLICISE
Operacion i përbashkët antidrogë, i zhvilluar nga Policia Kufitare e Sarandës dhe Policia e Igumenicës Greqi. Sekuestrohen 67 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa. Arrestohen në flagrancë nga policia e Igumenicës, 3 shtetas shqiptarë që transportonin lëndën narkotike.

Kapja e tyre në vendin e quajtur Asproklisi të Igumenicës.
Operacioni nisi nga Policia Kufitare e Sarandës, Livadhjasë e Qafë Botës.

Policia e Livadhjasë më datë 23.09.2017 rreth orës 00:23, ka konstatuar tre persona të ngarkuar me çanta që po lëviznin në drejtim të Konispolit në sektorin e Piramdave 67–68.
Shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të tre personave.
Ndërkohë është njoftuar menjëherë Policinë e Igumenicës Greqi, në lidhje me situatën ku duhej ndihma e Policisë Greke për kapjen e tyre, pasi tre shtetasit duke përfituar edge nga errësira po kalonin për në territorin grek.

Policia e Igumenicës ka organizuar shërbimet ku rreth orës 02:19, në vendin e quajtur Asproklisi të Igumenicës policia ka kapur tre shtetasit se bashku me lëndën narkotike dhe konkretisht:
-B.K, 25 vjeç, banues në fshatin Metoq Bashkia Sarandë.
Ky shtetas ishte shkëputur nga dy shtetasit e tjerë me qëllim kontrollin e rrugës dhe në momentin e arrestimit nga policia, gjatë kontrollit fizik iu gjet 978 grame lëndë narkotike.
L.R, 28 vjeç, banues në fshatin Ninat Bashkia Konispol.
A.K, 25 vjeç, banues në Sarandë.
Këta dy shtetas ishin bashkë, dhe kishin tre çanta shpine me pako me lëndë narkotike, gjithësej 66 kilogramë Cannabis Sativa.
Pas finalizimit të operacionit të përbashkët, rreth orës 07:30 të mëngjesit drejtuesi i operacionit i Policisë së Igumenicës ka telefonuar dhe falenderuar drejtuesin e operacionit të Policisë Kufitare, duke i konfirmuar se kapja e këtyre tre shtetasve nga ana e policisë greke u arrit fal bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale të dhënë nga ana e Komisariatit të Policisë Kufitare të Sarandës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: