TIRANE- Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi kërkoi sot që të rritet transparenca e Institucioneve të Pavarura. Në takimin e parë të Mekanizimit të Përbashkët për Monitorimin Sistematik të Ndjekjes dhe Zbatimit të Rekomandimeve të Institucioneve të Pavarura Kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, të zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Ruçi kërkoi bashkëpunim tripalësh Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura në kuadër të plotësimit të rekomandimeve për procesin e integrimit të vendit në BE.

Ruçi u shpreh se, është e nevojshme të bashkërendohet kalendari i komisioneve parlamentare për kontrollin parlamentar ndaj qeverisë me kalendarin e kontrollit për çështjet e rekomandimet e ngritura nga të gjitha institucionet e pavarura.

Ruçi shtoi se është me rëndësi që çdo komision të hartojë planin tematik të kontrollit parlamentar për çështje me interes publik ose për të cilat ka moszbatim të institucioneve të pavarura.

Po ashtu Kreu i Kuvendit, theksoi se është e nevojshme të hartohet lista e dëgjesave dhe ajo e informacioneve me shkrim për gjetjet dhe masat e kërkuara në progres raportin e vitit dhe për nivelin e zbatimit të masave që rekomandojnë progres raportet.

Ruçi theksoi se Komisionet duhet të ndjekin me dinamikë zbatimin e rekomandimeve të mekanizmave monitorues, të Konventave Ndërkombëtare dhe të institucioneve të pavarura dhe hapat e hedhur me bashkëpunimin tripalësh Kuvend-qeveri -institucione të pavarura.

Në takim ishin ftuar të gjithë titullarët e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj, zëvendëskryeministrja, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, përfaqësues të përfaqësive diplomatike që bashkëpunojnë me Kuvendin e Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve monitoruese, përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile që kontribuojnë dhe monitorojnë zbatimin e ligjit në fusha të ndryshme si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që asistojnë institucionet e pavarura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: