Nga: TEDI BLUSHI*
TIRANE – Në diplomacinë shqiptare, shefi i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Pirro Vengu nuk është i vetmi nëpunës me dy shtetësi. Në një përgjigje zyrtare drejtuar “Gazeta Shqiptare”, MPJ sqaron se në total janë 9 nëpunës që veç pasaportës shqiptare kanë edhe një tjetër të huaj. Ndërkohë që nuk preferon të bëjë publike emrat dhe funksionet që ata mbajnë në Shërbimin e Jashtëm, MPJ thotë se ky fakt nuk përbën skandal pasi sipas saj “Konventa e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike nuk e ndalon mbajtjen e dyshtetësisë për diplomatët. Nga ana tjetër, Ligji ynë nr.23/2015 ‘Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë’ nuk e ndalon një gjë e tillë.

Në nenin 38 të tij përcaktohen rregullat që duhet të plotësojë një individ për t’u angazhuar në shërbimin e jashtëm. Verfikimi i pastërtisë dhe sigurisë të çdo individi i cili angazhohet në shërbimin e jashtëm është objekt i punës së organeve të specializuara në fushën e sigurisë. Ju bëjmë me dije se në shërbimin e jashtëm vetëm 9 nëpunës kanë dyshtetësi. Për sa i përket emrat e nëpunësve me dyshtetësi, informojmë se kjo çështje është objekt i ligjit ‘Për mbrojtjen e të Dhënave Personale’ dhe në këto kushte emrat e nëpunësve, mbajtës së dyshtetësive nuk mund të bëhen të ditura”, – sqaron ministria e Punëve të Jashtme në reagimin e saj zyrtar për “Gazeta Shqiptare”.

PRECEDENTI “VENGU”
Një media greke ishte e para që rreth tri muaj më parë publikoi lajmin që Pirro Vengu, shefi i kabinetit i ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, është kërkuar nga ministria e Mbrojtjes e Greqisë për të kryer shërbimin ushtarak në vendin fqinj, pasi Vengu ka bërë letrat e homogjenitetit dhe quhet një greko-shqiptar, pra ka dy shtetësi.

Politika shqiptare u përfshi në debate të ashpra për këtë fakt, deri aty sa opozita kërkoi edhe dorëheqjen e Bushatit, me argumentin se dyshtetësia e shefit të tij të kabinetit përbënte një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Nga ana e tij Bushati, e cilësoi Vengun si një nga punonjësit më të devotshëm të institucionit që drejton dhe tha se gjithçka ishte një spekulim. “Mund të them që shefi im i kabinetit është një nga punonjësit më të devotshëm të shtetit shqiptar. CV mund t’ua vendos në dispozicion shqiptarëve. Çdo gjë tjetër është spekulim, pasi idiotët e nevojshëm të fqinjëve vazhdojnë që të gjallojnë”, – tha Bushati. Lidhur me çështjen pati një reagim edhe të kryeministrit, Edi Rama.

I pyetur në emisionin “Opinion” nga gazetari, Blendi Fevziu, shefi i qeverisë tha se “thirrja për ushtar i është bërë në mënyrë automatike siç bëhen ato. E ka refuzuar. Ka paguar edhe detyrimin që duhet të paguash për të mos shkuar ushtar. E ku është problem këtu?”, – tha Rama duke përdorur kësisoj një nga shprehjet tashmë të famshme të Drejtoreshës së Tatimeve, Brisida Shehaj. Kur Partia Socialiste ka qenë në opozitë, Ditmir Bushati ka qenë një nga kundërshtarët më të ashpër të faktit se në Shërbimin me Jashtë kishte diplomatë me dyshtetësi. Kjo edhe për faktin se mbajtja e një pasaporte të huaj veç asaj shqiptare binte në kundërshtim me nenin 18 të ligjit të vitit 2003 për “Shërbimin me Jashtë”. Por me ardhjen në pushtet të së majtës, ligji u shfuqizua dhe me ligjin e ri mbajtja e dyshtetësisë nuk parashikon sanksione.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb