NGA Klodiana LALA

TIRANE- Prokuroria e Tiranës nis verifikimet për rrethanat e vdekjes së ish-zëvendësministrit të Rendit, Sokol Baraj, pas dyshimeve se në ambulancën që e transportoi drejt Urgjencës mungonte defibrilatori, një aparaturë kjo e domosdoshme, për t’u ardhur në ndihme pacientëve që goditën nga ataku kardiak.

Lajmi konfirmohet për “BalkanWeb” nga burime zyrtare të organit të akuzës, të cilat nuk dhanë detaje të tjera rreth veprimeve hetimore që po kryhen për këtë rast.

Burimet theksuan se verifikimet po kryhen me iniciativë, pas publikimit në rrjetet sociale dhe media, të regjistrit të Urgjencës, ku përshkruhej se pacientit Sokol Baraj, i cili ishte goditur nga një infarkt, i ishte bërë masazh kardiak me duar, CPR, pasi në ambulancë mungonte aparatura e monitor-defibrilator.

“BalkanWeb” mëson se një oficere e policisë gjyqësore, e cila po merret me çështjen, ka marrë dëshmitë e para të personelit mjekësor, duke grumbulluar në këtë formë të dhënat e para për rastin.

Nga verifikimet rezulton se në ambulancën me targë TR 9915 K, me të cilën Baraj u transportua nga shtëpia e tij drejt Urgjencës, nuk ka patur defibrilator, madje mjekët kanë theksuar se kjo aparaturë nuk është disponuar asnjëherë prej tyre. Ndaj në mungesë të aparatit, të ndjerit Baraj i është bërë masazh kardiak me dorë.

Ndërkohë pritet të merret dhe dëshmia e familjarëve të të ndjerit, mes të cilëve dhe vëllai i tij, deputeti socialist Besnik Baraj.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare tre muaj më parë, pas një ataku kardiak në zemër.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb