PRISHTINE- Riformatizimi i Qeverisë do të ndodhë pas përfundimit të ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se janë duke punuar me partnerin e koalicionit për mënyrën e riformatimit të Qeverisë, por ka theksuar se kjo nuk do të përfundojë para shtatorit.

“Ne po punojmë në këtë, së bashku me partnerin e koalicionit, jemi duke biseduar lidhur me format e riformatimit. Unë nuk mund të ju them se kjo do të kryhet para një shtatorit, megjithatë janë edhe pushimet të cilat edhe ne do t’i shfrytëzojmë Por mendoj se sapo ta përfundojmë çështjen e demarkacionit do t’i qasemi seriozisht dhe do ta bëjmë një riformatim të Qeverisë”, tha Mustafa.

Por kryeministri i Kosovës duke folur para gazetarëve në Ferizaj, është shprehur i bindur se me të përfunduar çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, përveç riformatimit teknik, do t’i qasen edhe riformimit të agjencive qeveritare dhe atyre të pavarura.

“Nuk do të nënkuptoj vetëm riformatimi teknik të Qeverisë por nënkupton edhe riformatim substacional edhe kostos, sepse do të bëjmë edhe riformimin e agjencioneve qeveritare, agjencioneve të pavarura. Duhet po ashtu të gjejmë mënyrën se si t’i zgjedhim anëtarët e bordeve për kompani publike dhe institucione të pavarura, sepse ka pasur vërejtjeje. Ne i konsiderojmë këto vërejtjeje që kanë qenë prej juve, prej mediave, shoqërisë civile, dhe ne do t’i kemi parasysh gjithmonë dhe do të gjejmë mënyrën më të mirë që të krijojmë transparencë të plotë para mediave, para publikut, para qytetarëve dhe para shoqërisë civile për cilësitë e njerëzve që nesër do të jenë anëtar të bordeve të kompanive publike, sepse jam shumë i bindur se do t’i kontribuoj punës shumë më të suksesshme të këtyre kompanive”, tha Mustafa.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: