PRISHTINE- Kryeministri dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesit e partive minoritare kanë mbajtur sot një takim me presidenten Atifete Jahjaga në ambientet e Presidencës për dhënien fund të krizës në vend.

Ky takim u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat, ndërsa ishin të pranishëm edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar.

Presidentja Jahjaga falënderoi liderët e partive politike parlamentare që i janë përgjigjur ftesës së Presidentes për të rivendosur dialogun pozitë-opozitë si mënyrë për të ripërtërirë konsensusin thelbësor demokratik në Kosovë.
Gjatë takimit, i cili u mbajt në frymë konstruktive, udhëheqësit politikë paraqitën qëndrimet e tyre për tejkalimin e bllokadës politike dhe shprehën gatishmëri për të kërkuar zgjidhje të përbashkët.

HARADINAJ PAS TAKIMIT: ZGJIDHJA E VETME ËSHTË SHPËRBËRJA E PARLAMENTIT
Fill pas takimit me presidenten Atifete Jahjaga, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka dhënë një deklaratë për mediat. Ai pohoi se gjatë këtij takimi ka shprehur shqetësimin e tij se si shteti është kapur nga PDK dhe LDK.

Ndër të tjera Haradinaj tha se shteti ka mungesë investimesh, rend dhe ligj të politizuar skajshmërish. Edhe politika e jashtme sipas tij ka dështuar. “Vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe presidenti të shkojë në zgjedhje të drejtpërdrejta”, ka thënë Haradinaj.
(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb