Nga: Isidor Koti
Përdorimi i fjalës “ndryshim” ka zënë aq vend nëpër slogane dhe në të folurën e përditshme, aq sa është bërë fjala më efektive, jo vetëm në imazh, por edhe në qasje me njerëzit. Një administrator pallati nuk mund ta tregojë ndryshimin me fjalë pa fakte e pa vepra, por me të prekshmen, me të dukshmen. Në administrimin e ambienteve të përbashkëta, pavarësisht se shumë gjëra nuk duken, duhet të bëhen të ditura, sepse një komunikim i rregullt dhe i vazhduar, madje i përditësuar me banorët është më i rëndësishëm sesa kokëçarjet e tjera ditore apo periodike.
Mirëmbajtja me shfrytëzimin racional i burimeve nuk mund të jenë në raport të rregullt e as një investim në përmirësim dhe modernizim, nëse nuk sigurohet ndryshimi parapërgatitor. Banorët duhet të jenë të informuar, të paralajmëruar për jetëgjatësinë e pajisjeve, për shpenzimet operative, për mënyrën si funksionojnë asetet e përbashkëta në rast emergjencash. Në kompleksin e banimit që administroj prej disa vitesh, askush nuk e dinte përdorimin e pompës së zjarrfikëses që ndodhet në çdo kat. Në momentin që u vendos në provë dhe u paraqit para banorëve e skematizuar dhe me shembull konkret, ata u ndien më të sigurt dhe e kuptuan plotësisht rëndësinë e kësaj pajisjeje kaq jetike për mbrojtjen e pallatit dhe të jetës së tyre. Duhet theksuar se për mirëmbajtjen nuk janë përgjegjës vetëm të punësuarit në shërbimin menaxherial dhe teknik, por për mirëmbajtjen duhet të kontribuojnë të gjithë përdoruesit e objektit. Prandaj, në dijeni të funksionimit të pajisjeve dhe si vendosen ato në punë ose si stakohen, duhet të jetë kushdo që banon, sepse kjo i shërben atij dhe familjes së tij.
Mirëmbajtja paraqet një përmbledhje aktivitetesh, termash dhe personash të obliguar, por edhe të paangazhuar drejtpërdrejt, të cilët duhet të jenë gati dhe të organizohen për të vepruar në çdo rast emergjence dhe situate të dobishme. Personalisht, mendoj se këto pyetje: ‘Çfarë? Kur? Kush? Si?’ nuk janë vetëm për punën e gazetarit apo të një personi që merret me marrëdhënie publike, por për çdo person që respekton dhe vlerëson bashkëjetesën në komunitet. Nëse i kthehemi rastit të mësipërm, pra të pompës së zjarrfikëses, pyetjet janë vërtetë të dobishme: Çfarë është kjo pajisje, kur përdoret, kush mund të përdorë dhe si funksionon? Nëse merret një informacion bazik dhe një ditë shikon rastësisht zjarr në banesën tënde ose të komshiut, nuk ke nevojë të telefonosh zjarrfikësen, kur mund ta shuash menjëherë vetë zjarrin, sepse e ke marrë instruksionin e thjesht mbi mënyrën e përdorimit. Komunikimi dhe interesimi i vazhdueshëm që duhet t’u ofrohet banorëve bëjnë që mirëmbajtja të jetë efektive dhe të kuptohet se ndryshimi, që në koncept e më tej në praktikë i mbron investimet kapitale, kujdeset për shëndetin e për sigurinë dhe mundëson kushte për të jetuar shumë mirë në komunitet. Pra, mirëmbajtja nuk është vetëm e rëndësishme për jetëgjatësinë e elementëve përbërës të ambienteve të përbashkëta, por kontribuon në mirëqenien fizike dhe financiare të investimit të kryer nga secili familjar që ka investuar për shtëpinë e tij dhe “shtëpinë e përbashkët”. Mbase ky i fundit duket term i ekzagjeruar, por korridori, shkalla, muret, pllakat, bordurat etj., që ndodhen përtej pragut të shtëpisë, a nuk janë paguar nga xhepi yt? Sigurisht që po, prandaj këto sipërfaqe janë pjesë e shtëpisë në të përbashkëtën që ndan me pjesëtarët e tjerë të komunitetit. Ndryshimi ndikon në dukjen e pallatit, funksionimin e pajisjeve, shëndetin dhe zhvillimin e të menduarit e të vepruarit. A nuk është gjynah të thyesh një degë peme kur ajo është zbukurim, gjelbërim, sjell ajër? A nuk është mëkat të thyesh një pllakë, apo të hedhësh qesen e plehrave te hyrja e derës së jashtme, kur ambienti i përgjithshëm është perfekt? Një njeri normal nuk do ta bënte kurrë, është njësoj sikur t’ia bënte vetes. Zhvillimi i mentalitetit për mirëmbajtjen është pjesë e strategjisë së qasjes së vetëdijshme, të cilën unë e aplikoj me shumë kujdes. Këtë nuk e shikoj si çelës të suksesit, sepse mund të rezultojë edhe dështim, por një mundësi që mund t’i jepet kujtdo për ta ndjerë veten njeri i qytetëruar i shekullit XXI dhe jo plebej i Mesjetës. Kultura është sa personale aq edhe komunitare, sidomos kur bëhet fjalë për bashkëjetesën në komunitet. Gjatë përvojës si administrator pallati e kam kuptuar çfarë fshihet pas motos: “Ndryshimi fillon nga ti”. Nuk fshihen fjalë të bukura slogani, as prekje në sedër apo skuqje faqesh… ka shumë syresh që nuk e çajnë kryet për të tilla logos. Kam kuptuar thelbin, që të mirën e duan të gjithë dhe kur njerëzit (banorët) shikojnë që aty ku shkelin të prek këmba pastërti dhe aty ku kalojnë ka rregullsi e harmoni, ky është një ndryshim që nuk vjen nga qielli. Ky ndryshim vjen nga një marrëdhënie korrekte me vetveten dhe për sa njoh, nuk është askush që nuk e respekton vetveten. Prandaj kur dikujt i kujton veten e tij se nga ai nis ndryshimi, është njësoj si t’i kesh dhënë sinjal një atleti që ka nisur gara dhe ai nis të tundë kokën e të shohë rrotull, të lëvizë nyjat dhe të nis vrapimin. A nuk fillon kështu ndryshimi!? (Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb