NGA AURORA GOLEMI

SHKUP- Lotët e Adrianës dhe Blekisës, nënë e bijë nga Shkupi, tronditën zemrat e shqiptarëve me historinë e trishtë të jetës së tyre. Kërkesat e tyre ishin minimale. Të mbytura nga lotët kërkonin pak ushqim, pak rroba dhe një kulm mbi kokë pasi po u shembej e kishin frikë se nuk do gdhiheshin të gjalla. Nënë e bijë ju drejtuan me gjithë shpirt gjithë shqiptarëve humanë t’i ndihmonin me aq sa kishin mundësi për t’u siguruar një banesë.

Belkisa iu drejtua personalisht Elvis Naçit duke ju lutur që të bënte diçka për to. Vetë Elvisi u përlot në studion e “Shqiptarët për shqiptarët” në “News24” pas transmetimit të historisë nga Shkupi, duke thënë publikisht se kishte nisur misionin për t’iu ardhur në ndihmë Adrianës dhe Belkisës.
20180316-203208
Elvis Naçi ka udhëtuar drejt Shkupit për t’i takuar nga afër Adrianën dhe Belkisën e vogël.

“Unë e kuptoj se vështirësia ka qenë jo e vogël. Gjithë shqiptarët që e kanë parë në emision historinë tuaj, bashkë me lotët tuaja kanë derdhur edhe ata lot. Jemi emocionuar shumë”, tha Naçi.

“E pamë të domosdoshme që ju të largoheshit nga kjo shtëpi me themele të dala nga vendi e që mund të shembej nga momenti në moment. Hapi i parë ishte që ju t’iu sistemonim për disa ditë në një shtëpi komode”.

Duke iu drejtuar Belkisës, Elvisi i thotë “ti je një vajzë shumë e ëmbël dhe e mirë. Nuk mund të qëndroje më të jetojë në këtë banesë, tek ajo dhomë pa asnjë kusht për të jetuar”.
20180316-203156
“I ke rikthyer vajzës buzëqeshjen. Belkisi zgjohet tashmë çdo mëngjes e lumtur. Pas intervistës sonë, ditën tjetër jemi zgjuar në shtëpinë që na siguruat. Më në fund kemi bërë gjumë të rehatshëm. E kemi ndjerë ngrohtësinë e shqiptarëve”, i thotë Adriana Elvisit.

“Tashmë do të ikim diku, pasi misioni ynë vazhdon”, thotë Elvisi.

Një surprizë e bukur është organizuar për Belkisën dhe të ëmën e saj në Tiranë. Në “City Park” ajo është takuar me familjen e Elvis dhe Sidritit, por edhe me dy shoqe të reja. 13-vjeçaret nga Maqedonia kishin kursyer 1000 euro. Pasi panë në emision historinë e moshatares ato vendosën që të gjitha kursimet e tyre t’ia dhuronin Belkisës.

Motrat i shkruan Elvisit duke i thënë se dëshironin që paratë e tyre t’ia jepnin vajzës nga Shkupi. Jo vetëm kaq, ato kërkuan ta takonin atë personalisht. Kjo kërkesë u realizua nga stafi i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët”.

Vajzat pasi kanë qëndruar për disa orë në shoqërinë e njëra-tjetrës kanë blerë rroba, kanë konsumuar një drekë dhe janë argëtuar.

“Me dashuri mendoj se arrihet gjithçka, mendoj se Belkisën e kemi gëzuar sadopak”, u shpreh njëra nga motrat Bajrami.

Një ëndërr që behet realitet. Një shtëpi e vërtetë, kjo ishte surpriza e madhe që Elvis Naçi kishte rezervuar për Adrianën dhe Belkisën. Banesa e re ndodhet në qendër të Shkupit, është plot dritë, bollshme dhe komode. Belkisa e ka shkollën afër, madje kur del në ballkon mund të shikoje shkollën e saj. E si mund t’i përmbanin lotët nënë e bijë pasi një banesë ishe gjithçka që ato kërkonin për të shpëtuar nga gërmadha ku banonin.

“Shqiptarët për shqiptarët”, ia doli sërish që lotët e trishtimit dhe dhimbjes t’i kthejë në lot lumturie dhe gëzimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb