NGA MARIGLEN MARTIRI*
TIRANË- Rreth 5 muaj nga marrja e lejes së ndërtimit nga qeveria, nisën konkretisht punimet për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Tiranë. Nisja e punimeve në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit i jep fund një pritjeje dhjetëra vjeçare të besimtarëve të shumtë dhe plotësimin e aureolës së objekteve të kultit në kryeqytet. Myftiu i Tiranës Ylli Gurra deklaroi se sipërfaqja totale e gjurmës së kësaj xhamie është 10 mijë metra katrorë.

“Jemi dëshmitarë të nisjes konkrete të punimeve në terren për xhaminë e Namazgjasë. Zbritja e xhamisë 2 kate nën tokë, do kemi një gjurmë prej 5200 metra katror dhe xhamia do jetë në hapësirën 2415 metra katrorë”, tha Gurra.

Kjo xhami që do të kushtojë rreth 30 milionë euro dhe ndërtohet në bashkëpunim me komunitetin Mysliman të Turqisë dhe me donacionet e besimtarëve myslimanë shqiptarë të cilat ende nuk janë të përcaktuar sa do të jenë.

“Nuk flasim për një shifër se sa do të paguaje komuniteti, ndërtimi nga themeli brenda 3 vitesh tërësisht i komunitetit mysliman të Turqisë”, tha Myftiu Gurra.

Myftiu i Tiranës deklaron se Xhamia do të ndërtohet në tokën e myslimanëve që e zotërojnë prej vitesh ndërsa përsa i përket pretendimeve të familjes Kruja ai deklaroi se është një çështje me qeverinë dhe jo me komunitetin.

“Mbetemi të përkushtuar që xhamia të ndërtohet në tokën që kanë dhuruar myslimanët para një shekulli, ndërsa përsa i përket pretendimit mbi vlerën e shpronësimit i mbetet drejtësisë dhe kërkesës së tyre prej të cilëve janë çuar ne shpronësim”, tha Gurra.

Një tjetër synim i Komunitetit Mysliman nuk është vetëm plotësimi i nevojës së besimtarëve për xhami prej 7 dekadash por edhe ndërtimi dhe zhvillimi i medreseve dhe universitetit.

Xhamia e Namazgjasë në Tiranë ka nisur të jetësohet duke nisur me punimet konkrete në terren. Investimi prej 30 milionë eurosh pritët të përfundojë brenda 3 viteve të ardhshme me dy kate nën tokë dhe gjurma e ndërtimit prek 5200 m katrorë. Përsa i përket pretendimeve të familjes Kruja, komuniteti Mysliman deklaron se pretendimet i kanë me shpronësuesit pasi xhamia po ndërtohet në tokë tërësisht të myslimanëve.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb