TIRANE- Ndërsa na ndajnë pak minuta nga nisja e votimit për të zgjedhur kreun e ri të FSHF-së, Armando Duka dha një tjetër mesazh për të gjithë delegatët, duke sulmuar rivalin e tij kryesor, Bashkim Finon.

Ai thotë se do mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që sot do vendosin të bëjnë eksperiment me FSHF-në duke vendosur të zgjedhin në krye të saj një politikan tifoz futbolli.

“E kemi ngritur spektrin e suksesit tashmë mjaft lart dhe duhet të bashkohemi për të mos zbritur asnjë centimetër më poshtë. Ju që votoni sot keni përgjegjësi historike dhe kombëtare. Do ishte papërgjeshmëri t’ja lësh një eksperimenti, një politikani tifoz futbolli”,- tha Duka.

Duke kërkuar votën për një tjetër mandat, Duka renditi të gjitha arritjet dhe sukseset gjatë viteve të drejtimit.

“Nuk e fsheh emocionin momentet historike që na kanë bërë krenarë për arritjet, por asnjëherë nuk jam vetëkënaqur sepse jam i vetëdijshëm se mund të bëjmë edhe më shumë. Sot institucioni ka arritur të menaxhojë resurset falë menaxhimit të mirë. Sot FSHF është një institucion model, kemi rritur me 30% numrin e lojtarëve të regjistruar, kemi përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën futbollistike, kemi ngritur një sistem të mirëfilltë edukimi për trajnerët, futbolli i femrave ka përfaqësim dinjitoz. Ne të gjithë krijuam më shumë përvojë gjatë këtyre viteve. Çdo minutë të punës sime kam punuar me 10-fishin e energjisë duke sakrifikuar shumë gjëra. Kam pasur vetëm një qëllim, që bëj Shqipërinë të jetë e barabartë mes të mëdhenjve. Sot para jush kërkoj votën besimplotë më shume se kurrë”,-shtoi ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: