HIMARË- Të rinjtë demokratë kanë fshirë sot parrullat komuniste në jug të vendit por ky veprim nuk i ka pëlqyer deputetit socialist Koço Kokëdhima, i cili e ka quajtur akt barbar. “Në fshatin Kudhës gjendeshin dhe ishin restauruar parrullat komuniste të tipit “Rroftë udhëheqësi ynë i dashur Enver Hoxha!”. Këto parrulla ndodheshin pranë vendit ku do të pleqërojë Kryeministri Edi Rama dhe deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima”. Kështu ka denoncuar Partia Demokratike e Vlorës, aktivistët e së cilës kanë fshirë parrullat komuniste.

PD e Vlorës denoncoi edhe punimet e paligjshme që po zhvillohen në bregdetin e Qeparos, te ato që njihen si sarajet e Koço Kokëdhimës. Dhjetra automjete po ndërhyjnë në këtë plazh të bukur të bregut, në mënyrë të paligjshme duke shkatërruar ekosistemin.

Kryetari i PD-së Vlorë, Moisi Meminaj, u shpreh se, ky ndërtim mishëron qeverisjen e Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës, ku qytetarët e thjeshtë futen në burg për vendosjen e një tjegulle, ndërsa Koço prish ekosistemin për interesat e veta.

“Jemi sot këtu për të bërë denoncimin ndaj kësaj qeverie, të korrupsionit të kësaj qeverie, të keqqeverisjes së kësaj qeverie. Mund të shikoni që këtu është kështjella e radhës e Koço Kokëdhimës, pashait të jugut. Ju mund të shihni që një qytetar i thjeshtë nuk ndërron dot një dritare, Koço jo vetëm ndërton kështjella por grabit pasurinë kombëtare, prish zhavorin e detit, e merr këtë zhavor dhe e përdor për kështjellën e tij duke prishur të gjithë ekosistemin mjedisor dhe të detit. Kjo është qeveria, ky është Koço Kokëdhima, ky është Edi Rama. Ne e kemi denoncuar këtë objekt si të paligjshëm prej dy vitesh. Qytetari i thjeshtë nuk vendos dot një tjegull, ndërsa Koço mund të bëjë bëjë gjithçka, është Pashai, është komisari i dritës së jugut”,- tha Meminaj.

KOKËDHIMA: DËSHMI KULTURORE E ASAJ PERIUDHE
Fshirjen e parullave komuniste, komisari për rajonin e jugut e sheh si veprim të dëshpëruar të Partisë Demokratike.

“Restaurimi i ndërtesave në fshatin Kudhës bashkë me rikthimin e parullave është bërë  me taksat e qytetarëve shqiptarë”, ka thënë ai. Edhe pse i japin jehone të shkuarës komuniste, për Koço Kokëdhimen, ato janë dëshmi kulturore e asaj periudhe dhe si e tillë duhet të jenë pasuri e rëndësishme për popullin tonë.

Pyetjet e gazetarëve për fshirjen e parullave, nuk e shuan entuziazmin e deputetit socialist për rezultatet e referendumit në qarkun Vlorë dhe Gjirokastër. Në qytetin ku Edi Rama është deputet, pjesëmarrja kapi shifrën 92%, rezultat që për Kokëdhimën i jep përgjigje edhe kundërshtareve të procesit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb