TIRANE– Pas dorëzimit të mandatit të deputetit Eduard Halimi, mandati i takon Juvina Janit e cila është në listë e gjashta në qarkun e Beratit, ku PD mori vetëm një mandat. Juvina Janit i takon mandati, pasi demokratët nuk zbatuan detyrimin e kodit zgjedhor për të vendosur 1 zonjë në 3 pozicione në listë dhe për këtë arsye u gjobitën nga KQZ.

Por një prononcim për “BalkanWeb”, Jani tha se ka djalin e mitur me probleme shëndetësore dhe nuk mund të jetë në shërbim të elektoratit duke refuzuar mandatin.

Për rrjedhojë mandati i deputetit i kalon një tjetër gruaje në listën e qarkut Berat e cila është Monika Qose. Kjo e fundit në një prononcim për gazetaren Eneida Petova tha se nuk ka marrë asnjë konfirmim zyrtar për marrjen e mandatit, por nëse i vjen konfirmimi do ta pranojë me kënaqësi.

“Nuk kam asnjë konfirmim zyrtar. Jam në pritje. Kam pasur shumë telefonata që nuk ka pranuar Juvina dhe të takon radha ty. Nëse më vjen konfirmimi do ta pranoj mandatin me kënaqësi dhe do ta ushtroj denjësisht detyrën time si përfaqësuese e elektoratit. Nëse me vjen konfirmimi, do ishte vlerësim shumë i madh për mua”- tha Monika Qose me profesion laborante për “BalkanWeb”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: