TIRANË-Pas hapjes së portalit, “Denonco.al” pati prerje kokash, por pas deklarimeve të fundit, viktima janë bërë dhe vetë denoncuesit.
Dy ditë më parë pas një denoncimi në këtë portal, u shkarkua drejtoresha e shkollës ‘Dhora Leka”. Mësohet se drejtoresha akuzohej për shitje të librave jashtëshkollorë, por edhe sepse vinte me vonesë në mësim dhe shkolla ishte e papastër. Po të njëjtin fat pati dhe nëndrejtoresha.
Por sot, është “larguar” edhe mësuesi i lëndës së Kimisë Kristaq Viso. Sipas Drejtorisë Arsimore Tiranë, shkak ishin disa elementë që janë quajtur “të papranueshëm”. Mësuesi i kimisë, i kishte veshur fëmijët në shkollë me bluza të bardha, në të cilën kishte stampuar kokën e tij. Në fakt, sipas specialistëve, këtë nuk mund ta bënte asnjë një mësues fizkulture, e jo më një mësues kimie.
Lajmin për shkarkimin e mësuesit e denoncoi edhe deputeti i PD-së Luçiano Boçi. Me një status në Facebook, Boçi shprehet se, kjo është ana tjetër e monedhës, një formë kërcënimi për këdo që guxon denoncon.
Ja cfarë shkruan Boci në Facebook.
Denoncuesi i drejtuesve të shkollës “Dhora Leka”, i cili mori dhe përgëzimet prekëse të kryeministrit dhe Ministres, për atë që e quajtën me patetizëm “funksionim i sistemit për luftën ndaj korrupsionit”, nga sot nuk është më mësues!
Kristaq Vison “e graduan” duke e shkarkuar me “urdhër nga lart”!!!!!!!
Kjo për të paralajmëruar këdo që denoncon!!!!! Kjo është fytyra e vërtetë e këtij sistemi.
Pas kësaj Rama me siguri do duartrokasë në twitter dhe do falenderojë denoncuesit e rinj të denoncuesit të vjetër, e kështu me rradhë!”
(d.b/ma.ar/BalkanWeb)
