Nga Visar Zhiti

Pjesa e nëntë
Lec Kurti (1884 – 1948)
Emër që mbeti i panjohur. Por ai ka shkruar dhe poemat “Kërshëndellat”, “Mrashtbulli”, “Sikur të mujsha”, “Lula Marnesha”, “Qe tuk janë” etj, dhe ka përkthyer në shqip autorë të mëdhenj si nobelistin Pirandello, Poe, Pushkin, Gorkij, Merimé, etj. Kanë mbetur prej tij rreth 800 faqe dorëshkrime. Por ai ishte muzikant profesionist.

Kur Shqipëria kishte tre vjet që ishte bërë e pavarur, në 1915, kompozoi operën “Arbëreshja”, e para që njohim dhe e para në Ballkan, që dimë. Bir i kompozitorit Palok Kurti, krijuesit të bandave të para muzikore në Shkodër e Gjakovë.

Lec Kurti studioi në Itali, liceun e kreu në Pesaro dhe Akademinë e Arteve të Bukura për Muzikë në Venecia. Më pas do të laurohej në Romë, por në Shkencat Politike dhe do t’i përkushtohej diplomacisë. Ka shumë vepra muzikore në dorëshkrim, që i përkasin viteve 1908-1916.

Pasi internimit nga francezët në Korfuz, nis karrierën si konsull në Bari, (1921-1922), pastaj “Ngarkuar me Punë” në Athinë, kur merr dhe titullin “Qytetar Nderi”. Do të jetë Përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë dhe pas nëntorit të 1935 Ministër Fuqiplotë i Mbretërisë së Shqipërisë në Londër.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kur Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste, nuk pranon t’ia dorëzojë ambasadën përfaqësuesit italian, përkundrazi dorëzon një notë proteste në Qeverinë Britanike dhe i bën thirrje asaj të mbrojë Shqipërinë.

Me të njëjtin fat diplomatik si Faik Konica, i ftuar po prej tij, shkon në SHBA të drejtojë “Vatrën” e shqiptarëve. Kthehet në atdhe në vitin 1942…!

Kundërshtar i komunizmit, një nga themeluesit e Ballit Kombëtar, nënkryetar i kësaj organizate pluraliste, kryetar i saj në Shkodër, dhe siç shkruan në ditarin e tij, ikën disa ditë para se të vijnë fitimtarët!

Prapë në Itali, emigrant politik në Romë, ku edhe mbylli sytë më 1948 në moshën 64 vjeçare. Por gjithçka u mbulua nga rekuiemi i heshtjes.

Atë Martin Gjoka (1890 1940)

Muzika e fratit françeskan do të kishte më fat. Vinte nga Tivari dhe u shkollua në Shkodër, në shkollën e “Etënve Françeskan”, kur drejtor ishte At’ Gjergj Fishta dhe pastaj e dërgojnë në Austri, kur përveç teologjisë dhe filozofisë studion dhe muzikë në Salzburg, me profesor Hartmann. Luan në disa vegla muzikore, pianofort, flaut dhe violinë dhe kompozon së pari një “Ave Maria”, Dy kompozime të tjera “Liria” dhe “Atdhe dhe gjuhë shqiptare” ua kushton dy mecenatëve të tij shpirtërorë shqiptarë, muzikantit Donat Kurti dhe At’ Gjeçovit.

Pa u shpallur pavarësia e Shqipërisë, kthehet në atdhe, jep mësime në kolegjin “Illyricum” në Shkodër, gjeografi, gjuhë gjermane, krijoi orkestrën dhe bënte koncerte si për Pashkë ashtu dhe për Bajram. Kompozonte vazhdimisht. Në vitin 1915 mbaron veprën e At’ Gjergj Fishtës “Juda Makabé”, vihet në skenë në vitin 1917, opera e parë, kur në Rusinë e largët shpërthen Revolucioni Bolshevik.

Në vitin 1922 shkruan simfoninë e parë “Dy lule mbi vorr të Skanderbeut”, me tekst të Atë Viçens Prennushit. Vazhdon me vepra të At’ Leonardo De Martino-s. Donte të bënte një album me prelude, me muzikë polifonike dhe korale, etj. Pushtimi fashist rrënoi shumëçka, liceu u mbyll se nuk pranoi të fuste në shkollë “doktrinën fashiste”. Nga partia fashiste ishin konfiskuar deri edhe veglat muzikore.

I rënduar shpirtërisht, vdes nga zemra në moshën 50 vjeçare, në fund të dimrit, në shkurt, në Shkodër, në vitin 1940. Po këtë vit, në fillim të dimrit tjetër, në dhjetor vdes dhe At’ Gjergj Fishta. Vajtonin ende kambanat…!

Preng Jakova (1917 – 1969)

Është autori i Operës “Mrika”, e vitit 1959, që do të jetë opera e parë në socializëm, me libret të poetit të Realizmit Socialist Llazar Siliqi…!

Preng Jakova lindi në Shkodër po atë vit, kur mësuesi i tij Martin Gjoka tashmë e kishte kompozuar dhe e kishte venë në skenë operën e tij, “Juda Makabé”

U shkollua dhe ai në Liceun “Illyricum”, u bë pjesë e bandës muzikore të qytetit të tij, madje 18 vjeçar drejtor artistik i saj. Nisi të kompozojë këngët e para me motive popullore dhe jepte mësim muzikë edhe në fshatrat përreth.

Në vitin 1942 shkoi të studiojë muzikë në Romë në Universitetin Santa Cecilia, që e përfundon “shkëlqyer”. Kthehet në atdhe bashkë me fitimtarët…!

E caktojnë në Shkodër të merrej me korin e Brigadës I Sulmuese, por e arrestojnë, se vëllai i tij vritet duke luftuar kundër partizanëve.

Edhe pse del nga burgu, nuk do t’i ndahej më mania e persekutimit, që s’ishte mani, por mosbesim, përgjime, përndjekje, që nuk do t’a shpëtonin dot as marshet që kompozonte apo skematizmi revolucionar në operën “Mrika”. Por ajo i kishte pëlqyer diktatorit Enver Hoxha, duhej, madje ai kërkoi dhe një opera tjetër “Skënderbeu”.

Punoi me pasion, e mbaroi, por e kritikuan, muzika duhej të ishte më revolucionare, mobilizuese, jo ashtu disi kishtare, etj., etj. Në vetminë e tij të fshehtë ai shkruante dhe elegji e requiem. I shfaqej vrasja e vëllait, arrestimi i tij, që mund të përsëritej, ato duhej të ishte opera e tij… dhe u hodh nga dritarja e Shtëpisë së Kulturës, atje ku punonte. Vrau veten.

Varrimi s’mund të ishte zyrtar, por në funeral mori pjesë i gjithë qyteti. Dhe banda mundi të ekzekutojë pjesë të përzishme, që ai vetë i kishte shkruar vite më parë.

Një grua kompozitore, Dhora Leka (1923-2006)
Shumë këngë të njohura partizane, si ajo “Që nga gjokset djaloshare”, janë kompozime të saj, që i këndonin gjatë Luftës bashkëluftëtarët, ata që do ta dënonin, kur të fitonin. Ndoshta prandaj dhe këngë e saj “Në ato maja rripa-rripa”, vazhdohej me tallje “Një herë ma hipe, një here ta hipa”.

Ajo është autorja e operës “Një jetë në stuhi”. E dërgojnë me studime në Bashkimin Sovjetik, në Moskë, në Konservatorin “Çajkovskij” dhe kthehet pedagoge në Liceun Artistik të Tiranës dhe zgjidhet sekretare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Befas e përjashtojnë nga Partia në vitin 1956, si liberale dhe më pas e dënojnë “si simpatizante të Bashkimit Sovjetik”, kur ishin prishur marrëdhëniet me atë vend.

Lirohet në vitin 1963 dhe e internojnë në rrethinat e Beratit, të Lushnjës dhe Fierit. E pa mbrojtur nga askush, as nga kolegët e saj muzikantë apo shkrimtarë me ndikim, është bërë preh e lojërave vrastare të Sigurimit të Shtetit.

Me rënien e komunizmit, kthehet në Tiranë, boton një libër me poezi “Këngë në shtrëngatë” (2008), ku shtrëngata më e madhe duhej të ishte jo lufta, por paqja që sollën bashkëluftëtarët e saj.

I jepet titulli “Artiste e Popullit” dhe një shkollë i’u dha emri i saj. Por mbeti në varfëri, mes nëpërkëmbjeve demo(n)kratike.

E kisha takuar në Romë, ashtu të mbyllur në vetvete, që s’pranonte të vinte në shtëpi, gati të flinte jashtë, pa hotel… më është dhimbur, si një simfoni e shuar.

Dirigjenti i korit, Milto Vako
Kreu liceun, ku ishte pedagoge Dhora Leka dhe e çojnë dhe këtë po në Konservatorin “Çajkovskij” në Moskë dhe diplomohet për dirigjent kori. Kthehet në atdhe dhe e caktojnë në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, jo se vallëzonin dhe këndonin burrat e shtetit, por ata që zgjidhte shteti.

Pastaj dirigjent kori në opera dhe në vitin 1973, pas Plenumit IV, atij famëkeqit kundër letërsisë dhe arteve, e internojnë në Tepelenë dhe dy vjet më vonë e arrestojnë. E dënojnë me burg, atje në kampin e urisë në Ballsh. Del në vitin 1982, por e lënë punëtor, mirëmbajtës shkollash.

Duhej të binte komunizmi, që të kthehej pedagog në Akademinë Arteve në Katedrën e Kantos dhe të Dirigjimit, por dhe i korit në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Koncertet e tij janë duartrokitur dhe jashtë vendit. Është dhe autor tekstesh. Mban titullin “Artist i Merituar”.

Këngëtarët në burg: Lukë Kaçaj (1924 – 2001)

Nga Malësia e madhe, që në moshën 9 vjeçare e çojnë në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, në liceun “Illyricum” kishte mësues poetin At’ Gjergj Fishta dhe muzikantin At Martin Gjoka.

Vjen në Tiranë bashkë me çlirimin, por e pushojnë nga puna në orkestrën e Liceut Artistik si “ish nxënës françeskan”.

Punon hamall, por kishte zë mahnitës, epik, sikur dilte nga shpellat… dhe ndonjë muzikant i njohur, që ishte dhe deputet, ndihmon për ta futur në korin e Filarmonisë, pastaj solist në Ansamblin e Ushtrisë. Si mund të lihej ai zë trimëror? Madje e çojnë dhe në Festivalin e Rinisë në Bukuresht, interpreton arien e Filipit nga opera “Don Karlos” e Verdit dhe fiton çmim.

Menjëherë e dërgojnë në Bashkimin Sovjetik, në Moskë dhe atë, në Konservatorin “Çajkovskij” dhe do të jetë ndër më të mirët në botë, “Shaljapini shqiptar”, e thërrisnin, megjithatë nuk rri as në Bashkimin Sovjetik e as në vende të tjera, ku e ftonin që të punonte.

Kthehet në Tiranë, në opera. Me “Berberin e Seviljes” të Rosinit mahniti sërish skenën e “Balshoj Teatrit” në Moskë dhe skenat e kryeqyteteve të vendeve të kampit komunist. Po kështu dhe me “Madam Batërflaj”, me “Rigoleton”, etj., luan në operën e parë shqiptare në socializëm “Mrika”, këndon në filmin sovjetiko-shqiptar “Skënderbeu”, është lahutari, interpreton në filmin shqiptar “Përse bien këto daulle”, etj.

Ndërkaq, kur Shqipëria del nga Kampi Socialist dhe nga “Traktati Ushtarak i Varshavës”, atij i ndalohet të këndojë në operën e atdheut të tij. Pastaj e arrestojnë te shkallët e Konservatorit në vitin 1973, duke e akuzuar për agjitacion dhe propaganda kundër shtetit, kur ai vetëm kishte kënduar dhe e dënojnë me 5 vjet burg, por iu duk shumë pak, shtojnë dhe nenin e konfiskimit të pasurisë, por ai s’kishte gjë tjetër veç zërit. E çojnë në burgun e Ballshit. E shoqja e tij, Ana, shiste gjak, që të mund ta ndihmonte Lukën, të dilte gjallë nga burgu.

Doli në vitin 1978 dhe vazhdoi punën e dikurshme, hamall në magazinat e frutave. Në Pazarin e Ri në Tiranë, jo shume larg Operës. Vdes në Shkodrën e tij në vitin 2001. Presidentët e demokracisë, e dekorojnë me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Stavri Rafaeli (1923 – 2011)

Tenor dhe skenograf. Studio në Pragën e Artë. Vinte nga një familje e njohur korçare, e lidhur me artin, këndonte dhe vizatonte qysh fëmijë, prandaj dhe e çuan në Athinë të mbaronte gjimnazin. Mbaroi shkëlqyer në vitin 1941, kur në Tiranë e themeloj në ilegalitet Partia Komuniste.

Kthehet në vendlindje, përzihet me Lëvizjen Antifashiste, del malit dhe punon me korin partizan. Është me fitimtarët. Dhe e dërgojnë me burse shtetërore në Çekosllovaki që të diplomohet për Skenografi. Por ai ndoqi dhe degën e Kantos. Shkëlqen në të dyja, shkëlqen dhe në dashuri, vë kurorë në Pragë, në vitin 1951 martohet me një pianiste nga Budapesti, Marian, dhe kthehen bashkë në Tiranë.

Punojnë në teatër, në opera, Stavrit i besojnë rolin e Knjazit në operën e parë “Rusallka” të Dvorak, shkojnë në turne deri në Kinë, Mongoli e Vietnam, etj., etj., dhe e dërgojnë të specializohet në Moskë, në “Balshoj Teatër”, ku shkëlqeu dhe atje me shumë role. E dërgojnë dhe në Vjenë në një festival botëror të Rinisë studentore dhe merr çmimin e dytë.

Në Tiranë krahas roleve të shumtë në opera, do ta ngarkonin dhe me rolin e sekretarit të partisë në organizatën bazë, por ai ishte tërësisht i zhgënjyer nga komunizmi shqiptar. Ai nuk pranoi të ndahej nga bashkëshortja, kur u prishën marrëdhëniet e Shqipërisë Socialiste me vendet e tjera të Kampit Socialist, me gjithë presionet e mëdha. Vendosi të arratiset bashkë me vëllanë e tij, Thomain, oficer ushtrie, që pastaj të vinte dhe bashkëshortja e tij dhe të bashkoheshin në Hungari.

I kapën në përpjekjet për të kaluar kufirin shtetëror, pranë telave me gjemba, andej nga Bilishti, disa hapa larg ëndrrës.

Ishte viti 1963. Ata ishin 4. Me dy vëllezërit ishin dhe gazetari Vangjel Lezho dhe Franko Sara. Pastaj “grupi” u shtua me arrestime të tjera, u kap dhe gazetari tjetër Fadil Kokomani, dhe poeti Trifon Xhagjika, dhe studiuesi, përkthyesi dhe redaktori, Robert Vullkani.

Gjyq i hapur në Tiranë. I sjellin me pranga ndër duar. S’ishte opera, por realitet i rëndë. Akuza: agjitacion dhe propaganda kundër Partisë, agjenturë revizioniste dhe tradhti ndaj atdheut. Stavri Rafaeli dënohet me 15 vjet burg, kurse vëllai i tij oficer, Thoma Rafaeli, me pushkatim. Dhe poetin Trifon Xhagjika. Dhe i pushkatuan. S’kanë as varr. Të tjerët në burg. Dy gazetarët do t’i pushkatonin më vonë, do t’i merrnin nga burgu i Spaçit…!

Hungarezja Marie internohet në rrethin e Fierit.

Artisti Stavri Rafaeli e ku nuk shkon, në një turne infernal, në shumë burgje dhe kampe të rënda pune dhe lirohet mbas 15 vjetësh, në 1978. Te porta e burgut priste Maria e tij. Nuk i ishte ndarë as në burg. Jepte mësim muzike në shkollat e Fierit, mbante veten dhe të shoqin në burg.

Dhe ëndrra u realizua pas viteve ’90-të. Të dy ikën në Hungari. Zgjodhën të jetojnë në një qytet të vogël buzë liqenit përrallor Balaton, pranë kodrave dhe pyjeve, ku natyra duket se është më njerëzore se sa shoqëria njerëzore.

Megjithatë Maria erdhi dhe një here tjetër në Fier, i kishin dhënë titullin “Qytetare Nderi”. Në nderim të vuajtjes së saj dhe të atyre që vuanin përreth, duke i dhënë fshehurazi mbështetje, qoftë dhe duke e parë me një buzëqeshje të trishtë.

Sherif Merdani, ‘Heroi i këngës së muzikës së lehtë’!

E njoha në burgun e Qafë-Barit. Kishte qenë në burgun e Spaçit, minator dhe ra në humnerat e galerisë, shkëmbinjve të ferrit. Thanë se u vra. Ashtu të copërluar, pasi mori veten në spital me pranga, e çojnë në burgun e Burrelit. Dhe e sjellin tek ne…!

Dukej si një këngë e dhimbshme, ajo që mund të mbetej prej saj, pasi kishte flatruar e plagosur nga pushkët e gjahtarëve dhe’dihej ku kishte humbur, ndërsa ai vuante token, atë copëz trualli të zi të rrethuar me tela me gjemba.

E kisha parë dhe në skenë, kur isha student. “Sa zë të bukur ka”, thoshim, me pak trishtim, me ca vezullime të largëta, të ndaluara, sikur vinin nga Italia apo Britania e Madhe.

Në vitet e pakta të liberalizmit, një a dy sa ishin, në fillim të ’70-të, u bë këngëtari i rinisë, i shpresës së saj, i këngës që na lidhte me Europën, këngë dashurie, të tetorit, të bregdetit, të duarve si hapësira të fshehta, të himnit të Nënës, këndonte dhe italisht, edhe anglisht dhe shkëlqeu sërish në Festivalin e 11- të Këngës në Radio-Televizion.

Festivali që dënoi Partia. Plenumi IV që ‘hëngri’ koka artistësh, poetë, shkrimtarë, dramaturgë. Duhej dhe një këngëtar tjetër në burg. Sherifi nuk e kishte biografinë të mire. Ishin nga ata pasanikët e Korçës. Nënën e tij e kishin arrestuar që vitet e para, “i kërkonin të nxirrte floririn” dhe Sherifi i vogël merrte të vëllanë e porsa lindur në krahë dhe ia çonte nënës në burg që t’i jepte gji. Priste te porta e hekurt që t’ia sillte polici.

Pastaj Sherifi u rrit, u bë mësues fshatrave të Skraparit, në Librazhd i binte pianos, fizarmonikës, u bë këngëtar i njohur dhe i dashur, ja faji i tij, e arrestojnë dhe e dënojnë me 10 vjet burg. Mbas tre vjetësh, prapë në gjyq, e dënojnë dhe 10 vjet burg të tjera, se nuk kishte pranuar të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. I’a kërkuan hapur dhe ai i refuzoi hapur.

Thellë, në galeritë e errëta të minierës, Sherifi, këngëtar i muzikës së lehtë, me tenorin Stavri Rafaeli dhe me një të burgosur tjetër, Hysen Xhani, i këngëve popullore tiranase, organizuan një koncert, ashtu me kandilë, për të burgosurit e tjerë, “një mrekulli, një nga më të paharruarit e jetës time”, thotë Sherifi në një nga intervistat e tij pas burgut.

Edhe unë shkruajta një poezi në burg për të. Pas 16 vjetësh Sherifi lirohet. Kthehet prapë tek kënga, atje ku e la. Kishte rënë komunizmi. Na dënua se deshëm të këndonim ‘let it be”, këndonte dhembshëm me zërin drithërues. Ashtu me flokë të bardha e dërguan si diplomat dhe në Itali dhe në Rumani…!

Dhe prapë këndonte nëpër koncerte, tani dhe me të birin…! Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb