Shtrirja e Internetit 4G, kërkon përshpejtimin e lirimit të frekuencave 800 MHz. Zhvillimi i rrjeteve të shpejtësisë së lartë, të njohura si broadband, është i lidhur ngushtë me rritjen ekonomike dhe sociale të vendit. Të konsideruara si autostradat dixhitale këto rrjete janë mjaft të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Nisur nga kjo rëndësi ekonomike Qeveria ka caktuar me ligj përdorimin e frekuencave 800 Megaherz për zhvillimin e këtyre rrjeteve. Aktualisht një pjesë e frekuencave 800 MHz janë të zëna nga operatorët Televizivë privatë, duke krijuar kështu vështirësi për operatorët e telefonisë celulare.

Ministrja Harito ka organizuar sot një takim konsultativ në të cilin kanë marrë pjesë Zv.Kryeministrit Niko Peleshi, Kryetari i Bordit të AKEP, Kryetari i Bordit të AMA, drejtues të lartë të kompanive të telefonisë celulare, operatorëve të medias dhe ISP-ve, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Përfaqësuesit e qeverisë kërkuan nga AMA, RTSH dhe operatorët televizivë që të përshpejtojnë procesin e lirimit të frekuencave 800 MHz. Peleshi nënvizoi rëndësinë e infrastrukturës TIK për zhvillimin ekonomik e social të vendit si dhe nevojën për të përshpejtuar procesin për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve me shpejtësi të lartë, duke bërë kujdes në ruajtjen e investimeve dhe interesat e publikut.

Ndërsa Ministrja Harito nënvizoi faktin që Shqipëria është mbrapa me proceset e dixhitalizimit dhe në nivele të ulëta për “fiks broadband”. “Nuk duhet të vonohet më shumë procesi i lirimit të frekuencave të 800 MHz dhe duhet punuar për një politike spektrale afat mesme dhe afatgjatë në linjë me zhvillimet botërore në koordinim dhe në harmoni me të gjithë aktorët”, u shpreh ministrja Harito.

Nevojën për përshpejtim të këtyre proceseve e kanë përkrahur edhe drejtuesit e Televizioneve. Ata kërkuan që institucionet përgjegjëse për licencimin e rrjeteve private dhe po ashtu për ndërtimin e rrjeteve të televizionit publik të japin data konkrete për mbylljen e këtyre proceseve.

Nga ana e tyre, drejtuesit e operatorëve të telefonisë celulare u shprehën qartë se kërkesa për spektër dhe nevoja për brezin 800 MHz lind nga rritja eksponenciale e trafikut në komunikime të të dhënave dhe të përmbajtjes. Ata thanë se volumi i trafikut është rritur me 10 herë nga viti 2012 deri më sot. Perspektiva e rritjes se këtij trafiku është edhe me e madhe ne te ardhmen, çka e bën të domosdoshme kërkesën për spektër.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb