TIRANE- Partia Demokratike i ka paraqitur sot një kërkesë Kuvendit për të thirrur Konferencën e Kryetarëve.

Shkak është bërë pengimi i seancave dëgjimore në dy komisione, në atë të Shëndetësisë dhe në atë të Mediave, të cilat u penguan nga mazhoranca. Sipas opozitës, pengimi i këtyre seancave dëgjimore është një precedent i rrezikshëm.

E para seancë që dështoi ishte ajo e Komisionit të Medias, ku do të dëgjohej gazetarja Alida Tota, e cila pretendon se u pushua nga puna pas investigimit për vdekjen e 17-vjeçarit në landfillin e Sharrës.
Gazetarja Alida Tota do të fliste sot për arsyet që çuan në pushimin e saj si drejtoreshë e televizionit “A1 News”, por në komision munguan disa deputetë të mazhorancës, duke bërë që seanca dëgjimore të dështonte.

Kryetari i Komisionit të Medias, Genc Pollo akuzoi kryeministrin Rama për bllokimin e seancës, duke theksuar se po kërkon të mbyllet çështja e vrasjes së të miturit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Gjithashtu Pollo tha se është e papranueshme që Garda nuk lejoji mediat në sallën ku zhvillohen mbledhjet e Komisionit të Medias. Ndërkohë, nënkryetari Alfred Peza e cilësoi dëgjesën me gazetaren si një kauzë që kërkon ta amplifikojë opozita. Peza tha se mazhoranca nuk do të bëhet pjesë e kësaj dëgjese.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb