Nga: ENIDA HIMAJ*
TIRANE – Edhe pse një emër i ri në tregun muzikor, ajo ka marrë përsipër një përgjegjësi mjaft të madhe. Mishela Rapo është e përzgjedhura jonë për të përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision Junior”. Në rrëfimin dhënë për “Summer Pages”, ajo tregon se tashmë një sfidë e madhe e pret para, pasi kënga nuk është më e saja, por e gjithë shqiptarëve. Nuk ka zgjedhur të vijë në skenën muzikore me klipe, por ka preferuar të formohet gradualisht, duke u bërë pjesë e ‘talent-show’-t dhe kompeticioneve muzikore. Duket se asnjë të përbashkët nuk ka me bashkëmoshataret e saj, që për të arritur suksesin më shpejt, kanë zgjedhur ekstravagancën. Nuk u trembet padrejtësive, duke u shprehur se shpreson shumë që në “Eurovision Junior” të mos ketë fatin e Elhaida Danit.
Përzgjidheni për të përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision Junior”; si erdhi Mishelë deri te ky kompeticion?
Unë mora pjesë në festivalin e 51-të për fëmijë. Arrita të merrja dhe çmimin e parë në këtë kompeticion, çka bëri të mundur pjesëmarrjen time në festivalin evropian të muzikës për fëmijë. Nuk ishte trofeu im i parë, por këtë herë kishte një peshë edhe më të madhe. Kam filluar të këndoj që 15 vjeçe, ku kam marrë pjesë te “Gjeniu i vogël”. Atje jam mësuar me të kënduarën ‘live’, pasi për 12 javë me radhë vija në performancat e mia.
Si u ndjeve kur more vesh që do ta përfaqësonit ju Shqipërinë në këtë kompeticion kaq të rëndësishëm?
Të thuash e lumtur është pak. Natyrisht që e kuptova që para më pret një përgjegjësi dhe punë shumë e madhe, por kjo nuk më tremb. Jam e bindur në aftësitë e mia si këngëtare, edhe pse e re në moshë. Do të përpiqem që zëri shqiptar të dëgjohet më fort se kurrë në skenën evropiane. Veçmas një detyrim me shqiptarët, kam edhe një sfidë me veten, pasi tani nuk është më vetëm kënga ime, por kënga jonë.
Kur zhvillohet “Eurovision Junior”, a jeni përgatitur tanimë?
Festivali starton në 21 nëntor, në Sofje të Bullgarisë. Natyrisht që çdo ditë bëj prova që gjithçka të shkojë më së miri deri atëherë. Së bashku me skuadrën time po mendojmë për detajet e fundit të performancës që do të kem mbrëmjen e madhe.
Cila është kënga që ju do prezantoni në Sofje?
Kënga titullohet “Dambaje” dhe është një tekst i Pandi Laços dhe muzikë e Adi Hilës. Me këtë krijim do të bëj të flasë shqip skena evropiane.
A keni besim te kompeticionet në Shqipëri?
Patjetër që po! Unë mendoj që e vetmja rrugë drejt suksesit është të marrësh pjesë në ‘talent-show’, apo edhe në festivale të ndryshme. Këto janë vendet e vetme ku ti mund të testosh zërin tënd dhe ke përballë një profesionist që të jep vlerësimin. Kam shumë besim dhe personalisht një eksperiencë shumë të mirë me këto spektakle. I konsideroj një shkollë profesionale.
A mendoni se do t’ju bëhet një padrejtësi në Eurovizion?
Nuk di të them nëse do të ndodhë diçka e tillë. Unë po shkoj për të dhënë më të mirën time, janë të tjerë ata që i marrin vendimet.
Keni menduar ndonjëherë se mund edhe ta fitoni këtë garë evropiane?
Është një ëndërr për mua çmimi i atij festivali. Nuk dua shumë ta mendoj fitoren; momentalisht jam e fokusuar te përgatitja për natën e madhe.
A e ndoqët Elhaida Danin në Eurosong?
Patjetër që po! Këngën e kam dëgjuar që kur fitoi festivalin e RTSH-së dhe më pëlqeu shumë. Edhe performanca që Elhaida pati më pëlqeu shumë. Nuk e di pse u votua në atë mënyrë.
A iu bë padrejtësi Elhaida Danit, prisni t’ju ndodhë e njëjta gjë edhe juve?
Votimi dhe gjithë zhurma që ndodhi pas debutimit të Elhaidës mendoj që ishte një padrejtësi shumë e madhe. Mediat në fillim e mbështetën duke dhënë vlerësimet maksimale, madje duke e quajtur edhe si pretendente, dhe po të njëjtët ishin ata që folën më pas për një dështim. Unë uroj dhe shpresoj shumë që të mos kem të njëjtin fat në “Eurosong Junior”. Mendoj se, duke qenë se bëhet fjalë për mosha të reja, do t’i lënë pas këto prapaskena.
Ke frikë se mos zhgënjehen shqiptarët nëse nuk merr komente pozitive nga juria?
Nuk e kam një frikë të tillë. Detyra ime, e thashë edhe më sipër, është të çoj muzikën shqiptare në një skenë ndërkombëtare. E di që do jap më të mirën dhe nuk do të kem arsye që shqiptarët të zhgënjehen.
I ke ndjekur bashkëmoshataret e tua që bëjnë klipe sensuale dhe zhvishen në skenë, përse nuk keni ndjekur ju këtë rrugë?
Pikë së pari, kam menduar që në karrierën time të bëj muzikë dhe jo ‘show’. Është rasti të përmend atë shprehjen: muzika është për veshët dhe jo për sytë. Nuk mendoj se ato janë këngëtare, janë pseudokëngëtare.
Ke miqësi me këngëtaret e reja?
Jo, thuajse fare. Nuk kam nga t’i njoh, kam qenë shumë e zënë duke marrë pjesë nëpër kompeticione apo duke punuar dhe s’kam pasur rastin të frekuentoj të njëjtat vende me to.
E keni dëgjuar lajmin se vitin e ardhshëm Shqipërinë në Eurosong mund ta përfaqësojë një transvestit, Edona James?
E kam hasur një lajm të tillë në rrjetet sociale. Si lajm ka shkaktuar goxha bujë para disa ditësh.
A mendoni se është e drejtë kjo, do t’i revoltojë shqiptarët një përzgjedhje e tillë?
Nuk më duket asnjë e jashtëzakonshme. Shqiptarët sot bëjnë pjesë në një shoqëri shumë të emancipuar dhe i kanë pranuar tashmë disa gjëra. Nëse ka potencialin e duhur për ta bërë dhe një këngë të mirë, nuk shoh arsye përse shqiptarët të revoltohen.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
