TIRANË- Anëtarët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe aleatët e tyre janë mbledhur sot për rreth një orë e 30 minuta në selinë e PD-së për të diskutuar në lidhje me protestën e nesërme opozitare, e cila ka në themel të saj kërkesën për dekriminalizimin e Kuvendit dhe dorëheqjen e Ilir Metës. Mësohet se përvec anëtarëve të grupit të PD-së, në mbledhje ishin të pranishëm edhe Kreu i PR-së Fatmir Mediu si dhe Dashamir Tahiri dhe Muhedini nga PDIU-ja.

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi pas përfundimit të mbledhjes së grupit se protesta e nesërme do jetë madhështore, ndërsa ftoi çdo qytetar të bëhet pjesë e saj. Qëllimi, siç tha Basha është largimi i qeverisë,

“Nesër do të jetë një marshim proteste madhështor i qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë i mbështetësve tanë por dhe çdo qytetari që nuk pranon më keqqeverisjen. Alternativa e largimit është për qeverinë”, tha Basha.

Kryeopozitari u shpreh se, “Ne mbetemi të vendosur kërkojmë të dorëhiqet Ilir Meta, që e vërteta e hetimeve për çështjen Doshi të vijë nga një hetim i thellë e transparent dhe jo nga një hetim i shkurtuar siç kërkohet”.

Basha përsëriti se protesta e nesërme pritet të jetë madhështore, popullore por edhe paqësore.

Ndërkohë, në një prononcim për mediat, sapo doli nga mbledhja ish-kryeministri Berisha konfirmoi se protesta e nesërme pritet të jetë madhështore dhe mbi të gjitha paqësore.

Burime të PD-së bënë me dije se pritet që protesta e nesërme të nisë nga sheshi “Skëndërbej” dhe më pas të zhvendoset para kryeministrisë. Po sipas PD-së një grup deputetësh pritet të shkojnë në seancën parlamentare, ndërsa jashtë ambienteve të Kuvendit do të mblidhet një grup protestuesish.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: