Drejtuesit turq nuk do ta pranojnë më ambasadorin e SHBA-së në Turqi, theksoi sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ndërkohë që marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Uashingtonit po kalojnë një fazë kritike.

“Ne nuk e pranojmë më si përfaqësues të SHBA-së në Turqi”, deklaroi Erdogan gjatë një vizite në Beograd duke shtuar se ambasadori amerikan, John Bass, zhvendosur në Kabul, nuk do të pritet nga qeveria turke për turneun e tij të lamtumirës para se të largohet nga Ankaraja në ditët e ardhshme.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së, dy vende partnere brenda NATO-s, kanë pasur tensione të forta që prej shpalljes fajtor për spiunazh, javën e kaluar, të një punonjësi turk të konsullatës së përgjithshme amerikane në Stamboll.

Punonjësi në fjalë është akuzuar nga drejtësia turke se kishte lidhje me predikuesin në mërgim në SHBA, Fethullah Gülen, cilësuar nga Ankaraja si truri i përpjekjes për grusht shteti më 15 korrik 2016.

Si reagim të arrestimit të tij, ambasada e SHBA-së në Ankara njoftoi të dielën ndërprerjen e shërbimeve kryesore të dhënies së vizave në misionet diplomatike amerikane në Turqi.

Ankaraja ka marrë gjithashtu një masë të ngjashme.

“Meqënëse ambasadori amerikan e ka marrë këtë vendim, atëherë drejtuesit e SHBA-së nuk duhet ta mbajnë në këtë post asnjë minutë më shumë.

“‘Ata duhet t’i thonë: Kush të autorizoi të përkeqësosh marrëdhëniet mes Turqisë dhe Amerikës?”- theksoi Erdogan, njofton ATA.

Ai mbështeti gjithashtu arrestimin e punonjësit turk në konsullatën amerikan në Stamboll duke konfirmuar se policia turke kishte mbledhur elemente që provonin se diçka po përgatitej atje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: