NGA AURORA GOLEMI

TIRNAE- Tashme komuniteti prej 9 mijë banorësh në njësinë administrative Domje, ka gjimnazin e vet me emrin “Vajdin Lamaj”. Prej vitesh stafi pedagogjik kishte kërkuar zhvendosjen e shkollës 9-vjeçare nga kjo godinë për t’u kthyer, tashmë me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore në Tiranë, në gjimnaz për 265 nxënës. Deri më sot nxënësit kanë frekuentuar shkollat e mesme në Kamëz, Katund të ri apo në Tiranë.

Në 11-vjetorin e ndarjen së tij nga jeta drejtuesit e shkollës dhe nxënësit nderuan kujtimin e Vajdin Lamajt, i cili ka kontribuar në restaurimin e shkollës, si dhe falënderuan familjarët që vazhdojnë të kontribuojnë edhe sot për fëmijët e Domjes.

“Në 2005 nisi një investim në rikonstruksionin e shkollës të ambienteve të brendshme dhe të jashtme, por sytë e tij nuk arritën ta shihnin sepse jeta e tij u mor më 28 shkurt 2005. Koha e tij ndali, por kujtimi i tij do të vazhdojë përjetë sepse pemët që mbolli Vajdini vazhdojnë të rriten në sytë e fëmijëve tanë. Dhe Domja e kujton me respekt të madh këtë kontribues të shkollës tonë”, tha Sami Shira, drejtor i Shkollës së Mesme “Vajdin Lamaj”.

E pranishme në ceremoninë përkujtimore ishte edhe drejtoresha e drejtorisë arsimore rajonale, Eglantina Metani.

‘Bëri gjithçka të mirë për komunitetin e tij, emri që ka shkolla e dëshmon këtë, ka qenë një qytetar i nderuar që kishte në zemër dhe mendje komunitetin nga kishte dalë. Falënderoj familjarët që janë të pranishëm që edhe ata si vëllai i tyre mbështesin komunitetin dhe janë të lidhur ngushtë me të”, tha Metani.

Në këtë aktivitet nxënësit recituan krijimet e tyre si dhe u interpretuan këngë dhe valle.

Vajdin Lamaj ka patur një karrierë të pasur në strukturat e policisë, duke patur edhe pozita drejtuese. Për disa vite ai ka drejtuar edhe Federatën Shqiptare të Boksit, ndërsa në rini të tij ka qenë edhe sportist në sportin e mundjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: