NGA: Trëndafile Visha & Enida Himaj

Policia ishte 50 m larg vendit të ngjarjes dhe nuk bëri asgjë. I la katër kriminelët të iknin. FNSH-ja rrinte para spitalit, thua se do të ruanin të vdekurit. U thashë të bënin detyrën, të ndiqnin katër autorët që më ekzekutuan nipin. U thashë ndiqini deri tek Plasmasi se aty do i kapni, por nuk lëvizën nga vendi. Jurgeri nuk është trafikant droge, ashtu siç thuhet dhe as kriminel, por i pafajshëm. Ne kërkojmë zbardhjen e ngjarjes, nuk do bëjmë vetëgjyqësi”. Kështu deklaroi dje Genc Hoxha, xhaxhai i Jurger Hoxhës, i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi pasditen e së mërkurës në lagjen “Loni Dhamo” të qytetit të Lushnjës, në vendin e quajtur “Ura e Përroit”. Në këtë ngjarje të rëndë që tronditi opinionin publik mbeti i vrarë edhe Zamir Latifi, ndërsa u plagos 26-vjeçari Marjus Xhepexhiu dhe kalimtari i rastit, Bujar Turku, 66 vjeç. Ndërkohë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, xhaxhai i 26-vjeçarit Jurger Hoxha pohoi se në atentat morën pjesë katër persona, tre prej të cilëve kanë zbritur nga makina dhe kanë qëlluar me kallashnikov mbi të rinjtë që ndodheshin para lokalit bar kafe. Biznesmeni dhe njëkohësisht avokati Genc Hoxha u shpreh se familja e tij është persekutuar e ngujuar nga të gjitha sistemet që nga viti 1999 e deri tani në 2017. Ai tha se ndihen të kërcënuar me jetë dhe se kërkojnë mbrojtje e siguri nga shteti.

Dy ditë më parë nipi juaj Jurgeni humbi jetën në një atentat në qendër të qytetit. Çfarë mund të na thoni për ngjarjen, e cila ka tronditur gjithë opinionin publik?

Nipi im e ka emrin Jurger dhe jo Jurgen. Ai ishte kthyer nga Belgjika tri javë më parë dhe jo një javë, siç keni thënë ju në mediat. Ai shkoi si turist në Belgjikë, siç mund të shkojë çdo qytetar tjetër dhe nuk është e vërtetë se është marrë me drogë. Ishte tek i afërmi i tij, djali xhaxhit, pra tek nipi tjetër i imi, i cili jeton në Belgjikë dhe është i martuar me një shtetase belge. Nuk është e vërtetë se ai është i përfshirë në trafik droge. Jurgeri ishte thjesht një kalimtar i rastit në vendin ku ndodhi ngjarja. Ishte rastësisht aty.

Ju thoni se nipi juaj ishte kalimtar i rastit, ku po shkonte Jurgeni dhe pse ishte tek lokali ku ndodhi masakra?

Nipi po shkonte për vizitë tek motra ime, pra tek halla e tij, e cila e ka shtëpinë afro 15 metër larg vendit ku ndodhi masakra. Ai ka parë djemtë që po rrinin para lokalit dhe ka ndaluar sa për t’i përshëndetur. Janë takuar siç takohen çunat këtu në Lushnje.

Çfarë ndodhi më pas?

Ai ishte duke e pirë kafen në këmbë, kur nga një makinë kanë zbritur tre persona të armatosur e me kallashnikovë në duar. Këta kanë qëlluar menjëherë në drejtim të vendit ku ishte nipi me djemtë e tjerë, të njohur me njëri-tjetrin. Ndërsa një person tjetër ka qenë në makinë. Pra, kanë qenë katër persona. Dhe bënë atë që bënë. Krismat e armëve u dëgjuan deri këtu tek lokali dhe shtëpia ime. Ne shkuam në vendngjarje, por policia nuk na la të afroheshim. Policia ishte 50 metër larg, por nuk bëri asgjë.

Si nuk bëri asgjë?

Nuk bënë asnjë përpjekje për t’i kapur kriminelët, por i lanë të iknin. Policia ndaloi një person që nuk kishte vënë rripin dhe nuk i ndoqi autorët, të cilët u larguan. Unë u revoltova pa masë dhe u fola policëve.

Intervisten e plote mund ta lexoni sot ne GSH.al:http://www.gsh.al/2017/10/14/masakra-e-lushnjes-policia-la-4-kriminelet-te-iknin-flet-xhaxhai-nipi-ishte-rastesisht-ne-vendngjarje-seshte-trafikant-droge/

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb