*Schulz me Metën: Gjysma e dytë e 2015? Eshtë shpejt për hapjen e negociatave
*Schulz: Mesazhi im, ripajtim e ndërtoni demokracinë
*Rama: Kryesfida e vitit reforma në drejtësi

TIRANË- Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, ndodhet sot në Tiranë në një vizitë zyrtare, në kuadër të turit ballkanik, që përfshin dhe Serbinë e Bosnjën. Kryesfidë të këtij viti e cilësoi kryeministri Edi Rama reformën në drejtësi. Pas takimit me presidentin e PE-së Rama theksoi në një prononcim për mediat se qeveria ka vullnet për transformimin e Shqipërisë. “Ishte një kënaqësi e veçantë që patëm mundësinë të bisedojmë lidhur me progresin e bërë në drejtim të procesit tonë të modernizimit dhe reformave që duhet të kryejmë për integrimin në BE. Kryereforma e vitit është ajo në sistemin e drejtësisë”-u shpreh Rama.

Ndërsa presidenti i PE u shpreh se është i kënaqur për arritjen e një marrëveshje për Greqinë. Ai theksoi se në këtë mënyrë u shmang një krizë më e thellë në BE.
“Ishte kënaqësi që të mbaja premtimin dhe të vija për herë të parë në Tiranë. U nisa sot nga Mynihu vetëm pak minuta pasi u arrit marrëveshja për Greqinë, dhe jam i kënaqur dhe i lumtur që e arritëm këtë marrëveshje sepse shmangën një krizës më të thellë të BE.”- u shpreh Schulz.

Teksa u ndal tek kriza ekonomike në Greqi, Schultz pohoi se zgjidhje do ishte implementimi i një pakete. Nga ana tjetër ai falënderoi kryeministrin Rama për kontributin e tij dhe të qeverisë që drejton për rolin që luan në rajon.

“Kjo ishte e vërtetë një gjë e mirë, pasi kriza do kishte efekt dhe për Shqipërinë. Ky është një lajm i mirë që të arrijmë një paketë për Greqinë. Do ecim para. Pata një shkëmbim të hapur dhe shumë të mirë. Ne ramë jo pothuajse për çdo gjë, por për çdo gjë. Dëshiroj të them dy gjera; e para për rolin që luan Shqipëria në rajon. Falënderoj kryeministrin për rolin që luan Shqipëria në këtë fushë. Dëshiroj të falënderoj kryeministri dhe Shqipërinë për një linjë dhe mbështetjen e saj për BE dhe federatën Ruse. Ka mbajtur një linjë me BE-në. Do dëshiroj të falënderoj kryeministrin në veçanti këtë ndërtesë të mrekullueshme, pasi tregoi se ishte një njeri që e vlerëson artin.”, tha Schultz.

SCHULZ TAKON METËN: DUHEN REFORMA EFEKTIVE, PROBLEMET E BRENDSHME POLITIKE MBAJINI KËTU
Axhendën e tij të takimeve, Schulz e ka nisur me Kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Takimi midis Metës dhe Schulz ka nisur në orën 11:45 dhe më pas kanë dalë në një konferencë të përbashkët për mediat.

Schulz e vuri theksin tek rëndësia e vijimit të reformave, nga të cilat veçoi atë të sistemit të drejtësisë. 

“Mbetemi mjaft optimistë dhe mbetemi të sigurt që marrëdhëniet do të thellohen në të ardhmen përsa i përket marrëdhënieve ndër parlamentare ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Megjithatë, më lejoni të nënvizoj që megjithëse kjo është vizita ime e parë në Shqipëri, një pjesë e skuadrës që më shoqëron ka qenë këtu në Shqipëri dhe që rrugës kur kemi ardhur kanë parë zhvillime shumë të mëdha të bëra në vend. Një ndër elementët kryesorë për të siguruar qëndrueshmërinë në vend është vijimi i reformës, veçanërisht kur flitet për reformën në gjyqësor. Reforma në gjyqësor jo vetëm që duhet të jetë e qëndrueshme dhe duhet të vijojë më tej, por ajo përbën edhe një element shumë të rëndësishëm për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Pas diskutimeve që kemi pasur me Kryetarin e Parlamentit dhe me aktorë të tjerë në orët në vijim, besoj se do të arrijmë një konkluzion të përbashkët për vijimin e kësaj reforme”.

I pyetur në lidhje me çeljen e negociatave me Shqipërinë, Schulz tha se është ende herët për të dhënë një përgjigje, por nënvizoi se vendi ynë ka mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian në rrugën e integrimit. Ai shtoi se hapja e negociatave kërkon reforma efektive.

“Përsa i përket gjysmës së dytë të vitit 2015, gjysma e dytë e vitit 2015 është shpejt, kështu që në këtë kuadër, dua t’i bashkohem asaj që u shpreh nga Kryetarit i Kuvendit, z. Ilir Meta dhe dua t’i shpreh gjithë mbështetjen time për reformat e ndërmarra në vend, reforma të cilat janë në proces e sipër. Është e rëndësishme që këto reforma të jetë efektive dhe të jenë të suksesshme. Përsa më takon mua, dua të theksoj se ju keni mbështetjen e plotë të Parlamentit tim, por ashtu siç e dini, Parlamenti nuk është i vetmi institucion i cili vendos për dhënien e një përgjigje pozitive për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Megjithatë gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, do të promovojmë debatin pozitiv në mënyrë që të jepet një përgjigje pozitive, ndërkohë që për momentin nuk mund t’ju jap një përgjigje pozitive”.

Pikërisht nga kjo reformë, siç tha edhe kreu i Kuvendit, varet mbështetja që PE do ti japë Shqipërisë për hapjen e negociatave. “Shqipëria tashmë është në rrugën e duhur dhe natyrisht që për ne më e rëndësishme është të avancojmë në mënyrë sa më të shpejtë dhe më konkrete për reformën e drejtësisë, ku kërkohet kontributi i të gjithëve dhe besoj se hapja e negociatave pastaj do të jetë më e thjeshtë dhe do të kemi më shumë përkrahje nga Parlamenti Europian, por dhe nga vendet anëtare”,- veçoi Meta.

Nga ana tjetër, zoti Schulz këshilloi politikën shqiptare që problemet e brendshme ti mbajë këtu dhe të mos i transportojë në Bruksel. “Përsa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm mbështetës për Bashkimin Europian, në veçanti përsa i përket marrëdhënieve të vështira që kemi me Rusinë. E vlerësojmë shumë mbështetjen e Shqipërisë në kuadër të përcaktimit të një strategjie të përbashkët se si të tejkalojmë një marrëdhënie të tillë të ndërlikuar.Ndërkohë, sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Parlamentit të Bashkimit Europian dhe Parlamenti të Shqipërisë. Më duhet të nënvizoj që në shumë raste, debatet dhe fryma e brendshme e diskutimeve ndërmjet partive politike këtu në Shqipëri transferohet në Bruksel dhe në Strasburg. Ndërkohë që problemet dhe debatet e brendshme duhet të mbeten këtu në Tiranë, ku duhet të gjejnë një zgjidhje, dhe jo të transferohen në Bruksel”.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta vlerësoi vizitën si një mesazh pozitiv dhe falënderoi Presidentin e PE-së, për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit.
“Vizita mesazh pozitiv. Përshëndes përpjekjet e Schulz për Greqinë, për të arritur një zgjidhje e cila forcon Evropën dhe besimin tek ajo. Kjo vizitë, tregues i qartë i vëmendjes dhe mbështetjes së BE-së për Shqipërinë dhe perspektivën evropiane. Kemi patur një takim konstruktiv. Kam falënderuar PE-në që gjithmonë ka qenë avangardë për procesin e integrimit të Shqipërisë. Kemi vlerësuar se marrëdhëniet mes PE-së dhe Kuvendit të Shqipërisë janë të rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit të integrimit”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit shprehu gatishmërinë për të vijuar me reformat dhe sidomos përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe për integrimin. Meta tha se pas zgjedhjeve, reforma në drejtësi është parësore.

Kam shprehur gatishmërinë për të vazhduar me reforma të mëdha dhe sidomos përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe. Pas zgjedhjeve të 21 qershorit, fokusi kryesor reforma në drejtësi. Kam siguruar presidentin e PE-së, Schulz se përmes planveprimit, Kuvendi do ta rrisë rolin e tij mbikëqyrës. Vlerësojmë ekspertizën e gjithë strukturave të BE-së, veçanërisht në hapat legjislativë. Kemi biseduar dhe për zhvillimet në rajon. Kam shprehur mirënjohjen për kontributin e BE-së në rajon. E falënderoj edhe njëherë presidentin e PE-së, për mbështetjen edhe të procesit të integrimit të vendit”, tha Meta.

PRESIDENTI I PE TAKON NISHANIN: PRES PËRPARIM NË VENDOSJEN E SHTETIT LIGJOR
TIRANE-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot dhe zhvilloi një takim me Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz.

Presidenti Nishani uroi përzemërsisht mirëseardhjen, dhe vlerësoi rëndësinë e kësaj vizite të Presidentit Schulz në Tiranë, duke përkuar me një moment të rëndësishëm si për BE-në ashtu edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pasi përcolli përgëzimet për marrëveshjen e arritur sot në mëngjes me Greqinë, Kreu i Shtetit u ndal gjerësisht në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon.

Presidenti Nishani theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën të vetmen alternativë dhe zgjedhje për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe në këtë kontekst kjo ambicie shërben si një shtysë e fuqishme për realizimin e reformave të thella që nevojiten në të gjitha fushat. Ai informoi mbi përpjekjet për zbatimin e 5 prioriteteve, duke e u ndalur në veçanti në fushën e zbatimit të ligjit, dhe posaçërisht tek reforma në drejtësi. “Si Kreu i Shtetit dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbetem plotësisht i angazhuar për të bërë çdo përpjekje për realizimin cilësor dhe me ritmin e duhur të kësaj reforme kyçe për vendin”, – theksoi Presidenti Nishani. Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu se Bashkimi Evropian dhe procesi i integrimit evropian mbeten mekanizmi më i shkëlqyer garantues për suksesin e reformave të nevojshme për vendin, që nisin me ndërtimin institucional dhe vihen në funksion të konsolidimit të demokracisë në vend.

Duke u ndalur tek zhvillimet në rajon, Presidenti Nishani cilësoi se Ballkani Perëndimor sot është përpara një shansi historik për të ndërtuar mbi mentalitetet e përparuara të shoqërive tona. Dhe në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka një rol kyç në ndërtimin dhe inkurajimin e këtij realiteti pozitiv nëpërmjet proceseve respektive të anëtarësimit.

Presidenti Schulz përcolli vlerësimet për zhvillimin që ka njohur Shqipëria, parë edhe nga këndvështrimi i një qytetari evropian që i ka përjetuar ndryshimet e mëdha historike. Ai theksoi se dy ishin mesazhet që donte të përcillte nëpërmjet kësaj vizite: ndërtimi i demokracisë dhe ripajtimi.
Në këtë kontekst Schulz veçoi se në rrafshin e brendshëm pret që Shqipëria të shënojë përparim në vendosjen e shtetit ligjor, në të gjithë elementët e tij, përfshirë reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, si dhe në vendosjen e kulture evropiane të dialogut politik. Në kontekstin rajonal Shqipëria vazhdon të luajë një rol shumë pozitiv për ndërtimin e një dialogu konstruktiv e ripajtues. Këto dy elementë do të rrisin besueshmërinë dhe rolin e Shqipërisë si në rajon ashtu edhe në raport me Bashkimin Evropian, dhe Shqipëria ka një potencial të shkëlqyer për ta arritur këtë.

Presidenti Nishani, duke falënderuar për mesazhet inkurajuese dhe të gjithë mbështetjen që Parlamenti Evropian dhe vetë Presidenti Schulz kanë dhënë në vazhdimësi për Shqipërinë, e siguroi edhe një herë për të gjithë angazhimin e tij personal për t’u fokusuar në agjendën integruese në përgjigje edhe të pritshmërive të mëdha që kanë qytetarët shqiptarë ndaj këtij procesi. Njëkohësisht Kreu i Shtetit shqiptar siguroi se Shqipëria do të mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe do të vijojë të bashkërendojë politikat e sigurisë me ato të Bashkimit Evropian.

AXHENDA E TAKIMEVE

Në orën 12:45, Schulz do të takohet me Presidentin Bujar Nishani. Në 13:30, Meta shtron një drekë në nder të Presidentit të PE-së. Po sot pritet që Martin Schulz të takohet me shoqërinë civile. Pasdite Presidenti i PE-së do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe pas takimit Schulz do të dalë një prononcim për shtyp. Në orën 20:00, Presidenti i PE-së ka një vizitë në muzeun arkeologjik të Durrësit.

Të martën Presidenti Schulz do t’i drejtohet me një fjalë përshëndetëse deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Vizita e sotme në Tiranë e Martin Schulz është e para në cilësinë e Presidentit të PE-së, ndërsa më herët ai ka ardhur në Shqipëri, kur drejtonte grupin parlamentar të së majtës.

(m.k/ma.ar/a.n/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: