KOSOVE-Themelimi i Ushtrisë së Kosovës është domosdoshmëri për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto komente, presidenti Thaçi i bëri sot gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, në lidhje me procesin e formimit të ushtrisë së Kosovës.

“Transformimin e bëjnë të nevojshme edhe zhvillimet në rajon dhe nevoja që Kosova t’i forcojë mekanizmat mbrojtëse të vendit. Kurse ngurrimi i Bashkimit Evropian që të përshpejtojë integrimin e Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, u ka hapur rrugë ndikimeve tjera në rajonin e Ballkanit”, ka thënë Thaçi.

“Këto ndikime tjera, janë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, prandaj është urgjente që FSK të avancojë në misionin dhe detyrat e saj”, ka thënë Thaçi, raporton ‘Zëri’.

Formimi i ushtrisë, sipas tij, bëhet për ngritur kapacitetet dhe për t’u mbrojtur nga kërcënimet e ardhshme për Kosovën dhe rajonin. “Pavarësisht dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia po e ruan armiqësinë e saj në raport me Kosovën”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi tha edhe këtë herë se Serbia ka plane për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës, ngjashëm me veprimet e Rusisë në Krime.

Po ashtu, Thaçi përsëriti se transformimi i FSK-së në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese është bërë i pamundur, për shkak të kundërshtimeve të Listës Serbe, e cila përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me 11 deputetë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: