NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE– Të gjithë infermierët që kanë mbaruar ar simin e lartë dhe dëshirojnë të hyjnë në provimin e praktikës profesionale duhet të bëjnë dorëzimin e dokumentacionit pranë Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë (UISH). Po ashtu, kandidatët që duan të hyjnë në provimin e shtetit në sezonin e ardhshëm në nëntor, duhet që në muajin tetor të bëjnë konfirmimin e pjesëmarrjes. Bashkangjitur shkrimit janë edhe dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët. Ndërkohë që pjesë e dokumentit që kërkohet është edhe fotokopja e noterizuar e diplomës. Por, kandidatët e Infermierisë së Përgjithshme, të cilët janë diplomuar në janar 2016, kanë ngritur një shqetësim, pasi ende nuk e kanë marrë kartonin e diplomës dhe u digjet e drejta që të hyjnë në provim.

PRAKTIKA & REGJISTRIMI
Fillimin e javës që vjen, profilet e Infermierisë nisin regjistrimin për të hyrë në provimin e praktikës profesionale. “Urdhri Infermierit të Shqipërisë njofton se në datë 19-20-21 shtator 2016 bëhen regjistrimet për të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në VAP tetor 2016. Për të krijuar mundësinë e pjesëmarrjes në provim, të gjithë kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë zyrave ku kanë bërë regjistrimin në praktikë dokumentet e mëposhtme: kërkesë për regjistrim në provim, ku do të përcaktoni saktë për të satën herë hyni në provim praktike. Fotokopje e noterizuar e diplomës dhe e listës së notave.

Fotokopje e kartës së identitetit dhe kartës së praktikantit. Librezën e praktikës. Datat e realizimit të VAP do të jenë nga 24-28 tetor 2016, për më shumë do të qëndroni në kontakt me faqen e UISH online.

Ata që e japin VAP në këtë sezon nuk kanë nevojë të bëjnë konfirmim pjesëmarrjeje për provimin e shtetit, pasi për të gjithë fituesit e VAP, emri herën e parë (dmth., direkt pas kalimit të VAP) regjistrohet automatikisht për provim shteti”, njofton Urdhri i Infermierit. Gjithashtu, sipas UISH në datë 22-23-26 tetor 2016 bëhen edhe konfirmimet e pjesëmarrjes për të gjithë ata që janë përsëritës të provimit të shtetit duke dorëzuar dokumentacionin e mëposhtëm: një kërkesë ku do të përcaktoni saktë për të satën herë hyni në provim shteti.

Në rast se konstatohet që keni deklaruar gabim, penalizoheni duke u skualifikuar nga e drejta për të dhënë provimin këtë sezon. Fotokopje e noterizuar e diplomës dhe e listës së notave. Fotokopje e kartës së identitetit dhe kartës së praktikantit. Sipas UISH, edhe kandidatët e regjistruar në qarqe të tjera mund të vijnë të bëjnë konfirmimin në zyrat qendrore në Tiranë, nëse e kanë të pamundur të shkojnë aty ku kanë bërë regjistrimin fillestar.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb