NGA: ERMELINDA HOXHAJ
Publikohet lista e plotë e farmacistëve që do të hyjnë në provimin e shtetit. Agjencia Kombëtare e Provimit ka publikuar listën me emrat e 273 farmacistëve që do të testohen për dijet e tyre. Bashkëngjitur ermit kandidatët kanë edhe datën si dhe orën e testimit. Testimi i farmacistëve është lënë nga AKP-ja që të zhvillohet në janar, në dy data, përkatësisht në datë 4 dhe 5 janar 2017. Duke vijuar më pas deri më datë 12 janar me testimin e infermierëve, të cilët në total për këtë sezon janë 1256.

DOKUMENTET&TARIFA
Në ditën e provimit, në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë certifikatën përkatëse, që vërteton këtë ndryshim si dhe mjetin e identifikimit dhe mandatpagesën e tarifës së regjistrimit për provim shtetit. Kalimi me sukses i këtij provimi u jep të drejtë aplikantëve që të marrin licencën e ushtrimit të profesionit të mjekësisë, në të kundërt nuk mund të punësohen në sektorin publik.

Tarifa që i nënshtrohen kandidatët që hyjnë në provimin e shtetit vjen në rritje në mënyrë progresive, në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. Nga 10 mijë lekë që paguan kandidati që i nënshtrohet provimit për herë të parë, ata që do të testohen për herë të dytë e kanë 12.500 lekë. Testimi për herë të tretë e ka tarifën 15 mijë lekë, për herë të katërt 17.500 lekë, ndërsa më të lartë e kanë ata që testohen për herë të pestë, pasi duhet të paguajnë 20 mijë lekë. Faturën e pagesës kandidatët mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP, nëpërmjet saj ata duhet të bëjnë pagesën në një bankë të nivelit të dytë ose në postë
(Listen me emrat e personave që hyjnë në provim mund t’i lexoni sot në Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb