ELBASAN- Ditën e djeshme, në sheshin midis Prefekturës dhe Bashkisë së Elbasanit është zhvilluar protesta më e fuqishme e kohëve të fundit kundër ndotjes. Me dhjetëra protestues mbanin në duar pankarta me mbishkrimin: “Jo Kombinatit të ri Metalurgjik”, “Jo importit të mbetjeve, “Inceratorikancer- vdekje, “Edi-Qazim, ne vendosim jo” etj.

Pjesëmarrësit në tubim e cilësuan kriminale ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve në periferi të qytetit, dhe aq më tepër në një zonë të populluar. Ndërkohë, ambientalisti Sazan Guri shprehu bindjen se protesta e elbasanasve kundër ndotjes do mbështetet fuqishëm nga të gjithë, pasi kjo është një kauzë e rëndësishme.

“Ne do t’i themi ‘jo’ vendimit arrogant të qeverisë lokale e asaj qendrore. Do t’i themi ‘jo’ inceratorit rrangallë që do të helmojë shëndetin e elbasanasve. Mjaft ka vuajtur Elbasani nga metalurgjiku. Do t’i themi ‘jo’ kësaj teknologjie rurale dhe ta ndalojmë vënien në punë të inceratorit në Elbasan”, – ka deklaruar Sazan Guri. Më pas protestuesit kanë vendosur pankartat në hyrjen e derës së bashkisë për t’u bërë thirrje pushtetarëve vendorë që të mos e mbështesin vendosjen e inceratorit, i cili sipas ekspertëve do e rëndojë edhe më tepër situatën mjedisore në Elbasan.

Në protestën “Të rinjtë kundër ndotjes” me moton: “Jo kombinatit të ri metalurgjik” morën pjesë dhe deputetë të PD-së si dhe nënkryetari i Kuvendit, Edmond Spaho. Protestuesit paralajmëruan protesta të vazhdueshme deri në heqjen e inceratorit. Ndërkaq, pritet që firma që po e instalon atë të bëjë transparencë para Këshillit Bashkiak të Elbasanit rreth cilësisë së pajisjeve të impiantit të trajtimit të mbetjeve në këtë qytet.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb