Analisti Fatos Lubonja ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se dëmi që ai i ka shkaktuar Shqipërisë është shumë më i madh sesa ai që Aleksandar Vuçiç i ka shkaktuar Serbisë. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, Lubonja bëri një krahasim mes dy liderëve, duke e cilësuar Ramën autokrat dhe duke e akuzuar për shpopullimin e vendit, për mënyrën e komunikimit me kundërshtarët politikë dhe për një model ekonomik që, sipas tij, mbështetet te aktivitetet kriminale.
Analisti u ndal edhe te protestat studentore në Serbi, duke theksuar se një nga dallimet kryesore me Shqipërinë është vetëdijesimi i qytetarëve se ndryshimi politik duhet të vijë nga angazhimi i tyre dhe jo nga pritshmëritë ndaj faktorit ndërkombëtar. Lubonja kritikoi gjithashtu projektet e qeverisë për industrinë e armëve, duke ngritur pikëpyetje për investimet e paralajmëruara dhe duke përdorur tone të ashpra ndaj investitorëve të përfshirë.
“Studentët në Serbi thanë: Nuk ka rëndësi se çfarë qëndrimi mban Europa, ne nuk do të presim. Ne presim që të na vijë ambasadori i BE-së, ai amerikan, presim nga drejtësia. Ky është një hap më shumë. Vetëdijesimi që jemi ne që duhet ta bëjmë. Nëse e bën këtë gjë, ti ke përvojë dhe nuk të vjen më një autokrat tjetër. Kjo ka të bëjë me emancipimin, vetëdijesimin e njerëzve. Çdo autokrat ka karakteristikat e veta. Vlen të bëhet krahasimi mes Ramës dhe Vuçiçit, ku ndryshojnë dhe ku janë të ngjashëm. Shqipërinë e njohim më mirë, por Vuçiçit as në ëndërr nuk mund t’i shkonte ndërmend që të na bënte ato që na ka bërë ky autokrati ynë. Ky eliminoi popullin e tij.
Pavarësisht se edhe Vuçiçi është autokrat. Unë nuk i kam ndjekur fjalimet e Vuçiçit, por mjafton talljet që u ka bërë njerëzve opozitarë ky i çmendur, ofendime si ‘buf kënetash’, ‘sorra’, ‘bufa’, nuk ia kam parë Vuçiçit, se do të ishin bërë virale, pasi çdo autokrat lind në kontekstin e vet. Ata serbët që e mundën sot, ishin edhe dje, por deri ku e ka çuar ky, do të ishte rrëzuar më parë nëse do të ishte në vend të Vuçiçit. Narkoshtet nuk mund ta quash Serbinë, edhe pse atje ka krim dhe mafie. Sot na vijnë këtu mallra serbe, prodhohen. Ne s’i dimë të gjitha. Kurse këtu ka ekonomi kriminale. Më thoni këtu një fabrikë të madhe europiane? Këtu, kur vjen ajo fabrika e armëve, vjen ai mashtruesi izraelit. Këtu ka vetëm ekonomi kriminale.”, tha ai.
