TIRANE- Dy ditë nga zgjedhjet e Kavajës, kryeministri Edi Rama lajmëron publikisht tërheqjen e Partisë Socialiste nga gara. Duke treguar se kishte prova që opozita do organizonte një skenar që do ta destabilizonte vendin, Rama lajmëroi tërheqjen nga gara të Klodjan Shehit.

Kryeministri i përcolli kryeopozitarit Basha edhe mesazhin e fundit për zgjedhjet e 18 qershorit, duke i thënë se e priste deri më 8 Maj për dialog.

“Përpara 18 qershorit as ne as Shqipëria, as miqtë dhe partnerët s’kemi pse të bëhemi pjesë e kësaj loje të shëmtuar, dhe që dëmton imazhin e Shqipërisë. I përsëris Bashës. Lëre tani Kavajën. Por hiqe nga mendja se mund ta shtysh datën dhe afatin për të hyrë në zgjedhje më 8 qershor. Nga 8 maji s’jam më në dispozicion as për Bashën dhe as për PD, nëse të dielën nuk bie dakord, për të ndërhyrë dhe bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Në 18 qershor me PD ose pa PD Shqipëria shkon në zgjedhje”, u shpreh kryeministri Rama.

TERHEQJA E KANDIDATIT
Kryeministri lajmëroi se do tërheqë kandidatin për kryetar bashkie të PS në Kavajë për të mos e lejuar degradimin e situatës, ndërsa i bëri thirrje edhe kandidatit të pavarur të tërhiqet.

“Do jem shumë i sinqertë me ju, se ka një plan për destabilizimin e këtij vendi që çadra është ngritur për ta vënë në zbatim këtë plan, por s’do arrijnë ta destabilizojnë”,- tha kryeministri.
(m.a/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb