NGA MARSELA KARAPANCO

TIRANE- Pas debatit politik për miratimin e 7 ligjeve ka ardhur reagimi i Bashkimit Evropian dhe Ambasadës se Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Në këtë deklaratë ndërkombëtarët kërkojnë miratimin me urgjencë të ligjeve organike të reformës në drejtësi, ku i pari në radhë është ai i vettingut.

Sipas tyre drafti u është vënë në dispozicion anëtarëve të komisionit të reformës në drejtësi qysh në gjysmën e dytë të qershorit. Kjo deklaratë nuk përkon me qëndrimin që vijnë nga opozita, e cila thotë se projektligji u është vënë në dispozicion mbrëmjen e së martës.

Ky qëndrim i demokratëve është komentuar edhe kryeministri Rama, që përmes një reagimi kërkon që opozita të kthehet në komision për të votuar vettingun që i hap rrugës Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“E bojkotuan me muaj të tërë Komisionin e Reformës në Drejtësi dhe tani thonë s’kemi lexuar as projektligjin e Vettingut të gjykatësve e të prokurorëve, as 6 ligjet e tjera bazë për fillimin e zbatimit të reformës! Ankohen se një dorë e zezë po prish konsensusin, sepse u kërkohet thjesht të bëjnë detyrën dhe të vijnë në komision për të mbyllur sa më parë ligjin kyç, pa të cilin Brukseli nuk i hap dot rrugë rekomandimit për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë!”, përmbyll deklaratën Rama, ndërsa në vijim ka publikuar të plotë deklaratën e ndërkombëtarëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: