FIER– Kryeministri Edi Rama ishte në Fier, ku ka zhvilluar një takim me drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellësit në këtë qytet për të diskutuar mbi reformën e ujit. Rama tha se konsumatorët e ujit kanë afat deri në 1 shkurt të këtij viti për të të legalizuar lidhjet e paligjshme falas, ndërsa pas kësaj date çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet sipas ligjit.

“Është shumë e rëndësishme, që të kemi më shumë komunikim në këtë muaj, pasi siç e kemi bërë të qartë në 1 shkurt përfundon “ koha e paqes” në kuptimin e mundësisë për çdo konsumator që përfiton nga lidhjet e paligjshme për t’u legalizuar falas dhe pa pasur më asnjë detyrim për ujësjellësit. Dhe fillon një proces ku pastaj çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet sipas ligjit. Është shumë e rëndësishme që t’iu bëhet e qartë të gjithë punonjësve të shtetit, të gjithë atyre që paguhen nga taksat e popullit ,qoftë edhe në nivelin qendror, qoftë edhe në nivelin vendor duhet të paraqesin faturën. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me bizneset, por kryesorja në këtë rast është që bizneseve t’u bëhet e qartë që nuk do të falen dhe do të kenë sanksione shumë të renda për vjedhjen e ujit”- tha kryeministri.

Ndër të tjera Rama tha se janë bizneset ato që bëjnë dëmin më të madh dhe se turp më të madh sipas tij nuk ka, pasi ata deklarojnë se furnizohen me pus dhe në fakt janë të lidhur në mënyrë të paligjshme rrjetin e ujësjellësit.

“Janë bizneset që bëjnë dëmet më të madha. Biznese që deklarojnë që furnizohen me pus dhe në fakt janë të lidhur në mënyrë të paligjshme rrjetin e ujësjellësit. Turp më të madh nuk ka. Është krim dhe si çdo krim duhet ndëshkuar. Kuptohet sfida më e madhe është fshati . Aty ku uji i pijshëm përdoret edhe për ujitje, që është një skandal më vete, por duhet një fushatë intensive këtë muaj komunikimi për t’ju sqaruar dhe për t’ju thënë që kjo gjë nuk mund të vazhdojë të tolerohet më dhe për këtë arsye është mirë që të gjithë të legalizojnë lidhjet e tyre. Të gjitha këto bëhen që të kemi më pak shpenzime për të kompensuar humbjet dhe më shumë investime. Më shumë investime përkthehen në më shumë më tepër cilësi shërbimi, që do të përkthehet më shumë më tepër ekonomi në fund të fundit.”- tha Rama.

Drejtuesi i ujësjellësit në Fier u shpreh se brenda 2 muajsh janë vendosur 2000-2050 matësa uji.
“Kemi vendosur tepër intensivisht vendosjen e matëseve të ujit. Jemi organizuar me disa grupe pune dhe për një periudhe 2 mujore raportohet se është vendosur 2000-2050 matëseve uji. Humbjet e ujit vetëm për këtë periudhë dy mujore janë ulur në masën 2.5%. Kemi edhe një rënie të konsumit të energjisë elektrike në kompani në masën 5%. Në vlerë totale vëmë re që muaji dhjetor është mbuluar kostoja për herë të parë në kompaninë e ujësjellësit në masën 100%. Llogaritë e arkëtimeve nga uljet”- tha ai.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb