Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vizituar ditën e sotme Drejtorinë Vendore të Policisë në qytetin e Korçës, teksa është ndalur të flasë edhe për amnistinë penale.

I pyetur për arrestimin e Ardian Isufit, të riut që u arrestua më pak se 24 orë pas përfitimit të lirisë përmes amnistisë penale, Balla u shpreh se përgëzon autoritetet për reagimin e shpejtë.

Sipas informacioneve nga policia ky shtetas ka vjedhur një mjet Ford Fiessta i cili ka qenë i ndezur në parkim afër lagjes 18 të qytetit të Korçës.

Balla u shpreh se në raste të tilla ekziston mundësia që të liruarit t’i rikthehen aktivitetit të tyre kriminal, ndërsa tha se në këtë rast i riu nuk i ka rezistuar tundimit.

“Kjo është një prej arsyeve të beftë të vizitës time në DVP Korçë. Gjej rastin t’i përgëzoj për reagimin e menjëhershëm, ju e dini që amnistitë janë gjithmonë të mirëpritura dhe qeveria shqiptare i propozoi kuvendit pikërisht ndërmarrjen e një hapi të tillë por ne e dimë që në këto raste pas amnistive, ekziston mundësia për t’iu rikthyer përsëri aktivitetit të tyre kriminal. Rasti që përmendët është person i të njëjtës vepër penale dhe nuk i ka rezistuar tundimit. Por kjo nuk do të thotë që policia nuk e ka vigjilencën e duhur dhe i gjithë operacioni për ta rikthyer në qeli është bërë nga DVP Korçë falë inteligjencës policore dhe veprimeve të menjëhershme. Në këtë aspekt dua t’ju rikujtoj personave që kanë përfituar nga amnistia që është në të mirën e tyre që dorën e ngrohtë të shoqërisë përmes amnistisë mos e marrin si dobësi por si mesazh që t’i rikthehen një jete normale larg veprave penale. Policia e shtetit në komunikim me drejtorinë e përgjithshme të burgjeve po administron të gjithë emrat e personave që janë përfitues dhe do të ketë një monitorim të secilit prej tyre në mënyrë që të shmangen ngjarjet kriminale”, u shpreh Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb