TIRANE- Një rrëfim aspak i zakontë vjen nga një qytetar i komunitetit rom, i cili tregon se çdo ditë përballet me skamjen dhe varfërinë ekstreme.

Drama shtohet edhe më shumë kur ai tregon se si i ka bërë një kërkesë të pazakontë gjyqtarit në sallën e gjyqit kur ishte arrestuar, pasi rezultonte debitor i energjisë elektrike. Ndonëse ai ishte dënuar me 6 muaj burg, qytetari i kishte kërkuar gjykatësit që të ta dënonte me 6 vite.

Në një fjalim prekës, gjatë një takimi me temën “Vendimet e Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, a zbatohen nga Institucionet të cilat vendimi shprehet se diskriminojnë shtresat në nevojë ?”, kryefamiljari bëri një tablo të problemeve të tij ekonomike, ndërsa pohoi se pavarësisht faktit se trajtohej dikur me ndihmë ekonomike, sot nuk e përfiton atë.

“Vajzën e ka të papunë, edhe pse ka mbaruar universitetin. Prej 20 vitesh jemi punëkërkues dhe nuk kemi. Nuk kishim as lekë të paguanim dritat. Të paktën mirë që kemi shtëpinë tonë. Arriti shteti që për mospagesën e faturave të energjisë elektrike për 7 vite, të sillte 7 punonjës policie me furgon në shtëpi dhe më thotë: ‘Do vish për një sqarim në polici’, nga aty në prokurori dhe më pas në gjykatë. Prokurori dha vendimin për 6 muaj burg dhe për 18 muaj shlyerjen e detyrimeve. Në këtë kohë i them prokurorit: “Pse 6 muaj?” “Po sa?” -më tha. ‘6 vjet’ i thash. Se tre vakte i ke të paguar dhe një prej tyre me mish. Kam 10 vjet që se njoh mishin. As të viçit, as të lopës dhe as të derrit. Hymë me kokë kazanët e plehrave dhe do zihemi me qentë, se ça hanë ata, hamë dhe ne. Do zihemi me ta, se thonë: “Është shtëpia jonë këtu”. Unë rri pa drita në shtëpi. Sot e kësaj dite jam i papunë. Bashkëshortja punon prej një viti në një punë të zezë. Dhe kur merrja ndihmë ekonomike, kam mbi 3 vite e gjysmë, kemi bërë dhe një protestë, atje na u tha: “Na sill një kopje të formularit të ndihmës ekonomike”. Më erdhën dhe për inspektim ministria në shtëpi dhe unë u thash ‘Do marr një kazëm tek komshiu, do i i thyej këto pllaka dhe do i vë në tenxhere, do me to do ju mbaj juve për drekë sot’. Dhe i bie që po të kesh dollap me pasqyrë s’të takon ndihma ekonomike. Se kuptoj për ça votojmë ne? Mua më ikën fëmija nga shtëpia, e kam 27 vjeç dhe i them se ‘ku ishte? Ca hëngre? Dhe ai më përgjigjet: “Dëgjo, vetëm se e ke emrin babë, por do ta merrja atë karrige dhe do ta bëja thërrime thërrime pas koke”. Ca pres unë nga ai fëmijë nesër? Dhe ça pret shteti nga kjo shoqëri nesër? Duke e lënë nëpër kazanë plehrash, unë nuk e di. S’kam ça të them më”, përfundon fjalën e tij qytetari, i cili preku të gjithë të pranishmit në sallë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: