SHBA- Trump kishte propozuar 1.5 miliard dollarë në Kongres për murin me Meksikën , si pjesë të draftit të shpenzimeve që përfshin financimin e agjencive federale deri në fund të këtij viti fiskal. Por ndërtimi i murit të planifikuar nga presidenti Donald Trump në kufi me Meksikën mund të shtyhet pasi republikanët po mendojnë të ngrijnë fondet.
Senatori Roy Blunt deklaroi se paratë e parashikuara do të lihen jashtë draftit të shpenzimeve që pritet të miratohet më 28 prill, për të shmangur një “mbyllje” të pjesshme të qeverisë. Deklaratat e tij vijnë pak pasi Trump kërkoi një fond shtesë për të financuar murin, të përfshirë në programin e shpenzimeve ushtarake. Por zoti Blunt tha se, kërkesa e presidentit Trump mund të ndërlikojë negociatat.
“Të gjitha komisionet, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati po punojnë së bashku për të finalizuar pjesën e mbetur të draftit “FY17””, deklaroi Blunt. Ai u shpreh i bindur se gjërat mund të implementohen edhe pa fonde shtesë. “Me fondet shtesë mund të merremi në një moment tjetër”, shtoi senatori. Por demokratët kanë kërcënuar se do ta bllokojnë projektin nëse në draft përfshihen edhe paratë për murin me Meksikën.

(i.ç/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb