Nga ERI BAÇO*
TEPELENE – Aksi kombëtar Tepelenë-Memaliaj rrezikon shembjen. Për shkak të motit të keq të ditëve të fundit dhe reshjeve të shumta të shiut, është shembur plotësisht rruga e vjetër nacionale në dalje të qytetit të Tepelenës, por po rrezikohet edhe aksi i ri, që të lidh me jugun e vendit.
Një masiv i madh dherash ka rënë në vendin e quajtur Ura e Bënçës, duke shkatërruar edhe kanalin e mbledhjes së ujërave, ndërtuar pas përfundimit të punimeve në këtë aks, ndaj kjo rruge e asfaltuar ka nevojë për ndërhyrje, në të kundërt ajo pritet të shembet dita–ditës, pasi rrëshqitjet e dherave po shpeshtohen.
Një tjetër problem që shfaqet është edhe prishja e tubacioneve kryesore të ujësjellsit të vetëm që furnizon Tepelenën. Sipas kreut të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, rrëshqitja e radhës në këtë rrugë rrezikon shkatërrim total të rrjetit të qytetit.
Aksi kombëtar Tepelenë – Memaliaj ka përfunduar së rikonstruktuari vetëm pak muaj më parë, ndërsa sot shkarjet e rrezikojnë seriozisht atë.
(ar.sh/BalkanWeb)