TIRANE– Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka reaguar pas vendimit të Arta Markut për të shkarkuar nga detyra kryeprokurorin e Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj dhe zëvendësuar me Donika Prelën.

I pyetur nga ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ për këtë çështje nga gazetarja Klodjana Lala, ambasadori Donald Lu thotë se mbështet një prokurori që ka vullnetin të luftojë krimin dhe korrupsionin. Sipas ambasadorit Donald Lu duhet të ecet përpara me çështjet e korrupsionit, pa ndërhyrje politike.

“Ky është një moment me rëndësi që Shqipëria të demonstrojë se hetimet me profil të lartë publik mund të ecin përpara pa ndërhyrje politike. Prokurorja e Përgjithshme thotë se ka emëruar Znj. Prela në mënyrë që çështjet me përparësi të përfundohen në mënyrë më të shpejtë dhe më të efektshme.

Jemi gati të mbështesim një prokurori që ka vullnetin dhe aftësinë të punojë për këto çështje të rëndësishme të krimit dhe korrupsionit në mënyrë të efektshme dhe pa vonesa”- shprehet ambasadori Donald Lu.

Kujtojmë se Hajdarmataj dhe dy prokurorë të tjerë dorëzuan tetorin e kaluar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për autorizimin e arrestimit të ish-ministrit Saimir Tahiri, i akuzuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Kjo ishte kërkesa e parë e këtij lloji nga prokuroria për arrestimin e një deputeti jashtë kushteve të flagrancës.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb