TIRANE-Pas shpalljes ‘Non Grata’ të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla nga Departamenti Amerikan i Shtetit vjen një tjetër reagim nga Ambasada e Shteteve te Bashkuara ne Tiranë. I ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA në Tiranë, David Muniz tha për gazetaren e ‘News24’, Klodiana Lala se: “Qeveria e SHBA është e gatshme të bashkëpunojë në çdo hetim të zyrtarëve të lartë të korruptuar”.

‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ u interesua edhe pranë Prokurorisë së Përgjithshme por nuk mori përgjigje nëse është çelur ose jo një hetim ndaj ish kryeprokurorit Llalla. Pak ditë me parë Departamenti i Shtetit i ndaloi Adriatik Llallës, gruas së tij dhe dy fëmijëve të hyjnë në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson e miratoi masën ndaluese për shkak të përfshirje së zyrtarit të lartë në raste madhore korrupsioni. Pas largimit nga posti i kryeprokurorit, Llalla hoqi dorë dhe nga e drejta për t’u emëruar gjykatës në Apel, vendim që e shpëtoi edhe nga vettingu.

Komisioni i pavarur i kualifikimit ndërpreu procesin e rivlerësimit për të që nëse nuk ankimohet, Adriatik Llalla konsiderohet i shpëtuar përfundimisht nga filtrat e kontrollit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb