TIRANE- Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka dhënë një tjetër alternativë për t’i dhënë fund luftës kundër lëndëve narkotike. Numri një i Drejtësisë ka ‘shpërthyer’ me qëndrimin e tij, duke ka propozuar që përveç punonjësve të Policisë së Shtetit në operacionet antikanabis të nxirret edhe ushtria.

Ministri i kabinetit qeveritar, pjesë e LSI, ka pohuar se gjendja është emergjente. “Na takon ne që të reagojmë në mënyrë proporcionale. Ne duhet të reagojmë edhe më fort edhe sesa sot. Po qe e nevojshme them se duhet të dalë edhe ushtria. Për të dhënë një mesazh, edhe ushtria duhet të dalë. Nga ky fenomen o ndahemi tani, o nuk ndahemi më. O ndahemi më sa ka filluar, ose kur të ndahemi do jetë shumë vonë dhe shumë e vështirë. Nuk shkon më. Nuk e ka në traditën e vet askush në këtë vend që të marrë drapër të kësaj natyre”, u shpreh Manjani.

Manjani e krahasoi fenomenin me piramidat famëkeqe të viteve të mbrapshta 96-97. “Ky nuk është një biznes që siguron mirëqenie, por siguron varfëri dhe shton krimin, kriminalizon shoqërinë. Është e ngjashme me efektet e piramidave financiare. Jam për krijimin e xhandarmërisë. Të gjitha forcat policore në këtë vend duhet të qenë në një piramidë dhe duhet reagim proporcional. Dhe nuk jam kritik, sepse nuk e di çfarë është realiteti. Por ky perceptim ekziston. Po të dalësh në rrugë, në kafene, ky perceptim ekziston. S’ka rëndësi çfarë thotë Italia apo dikush tjetër, njerëzit në Shqipëri e besojnë”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: