TIRANE- Kryeministri Edi Rama pranon se bashkë me 4 ministrat e shkarkuar Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Bledi Çuçi, dhe Blendi Klosi, mund të ishin larguar nga detyra edhe ministrat Ditmir Bushati dhe Lindita Nikolla.
Gjatë emisionit “Studio e Hapur” të gazetares, Eni Vasili në “News 24”, kreu i qeverisë ka treguar arsyet se pse nuk e shkarkoi ministrin e Jashtëm dhe atë të Arsimit.

Rama pohoi se për shkak të detyra konkrete që kishin, nuk do të ishte e arsyeshme që këta ministra të zëvendësoheshin në këtë periudhë.

“Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, nuk u largua për shkak të Samitit të NATO-s në maj dhe Samitit të Triestes së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa ministrja e Arsimit për shkak të procesit të Maturës Shtetërore, i cili sapo ka nisur dhe largimi i ministres së Arsimit mund të sillte komplikacione”, – pohoi Rama.

Megjithatë, kryeministri bëri të ditur se iu ka kërkuar dy ministrave, Bushati dhe Nikolla, të dy drejtues qarqesh të PS-së, njëri në Shkodër dhe tjetra në Lezhë, të punojnë me të njëjtin kapacitet në zonat e tyre, si 4 ministrat e larguar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: