Nga FATMIRA NIKOLLI*

Pas Gjergj Bojaxhiut, Andis Harasani është një tjetër ish-drejtor i KESH, që del kundër kalimit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë mbi sitin arkeologjik të Komanit. “Linja mund të spostohet, nuk ka asnjë problem. Nuk ka asnjë vështirësi të lëvizësh, apo të spostosh katër shtylla”, – tha dje Harasani në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”. I pyetur për koston që ka ky spostim, Harasani tha se nuk sheh ndonjë shpenzim të madh. “Punimet nuk kanë filluar, ndaj është fare e thjeshtë të bëhet spostimi i shtyllave”,- u shpreh ai, duke u bërë kështu pjesë e një numri të madh intelektualësh, që krahas shumë specialistëve, kanë dalë kundër vendimit që i hap udhë linjës, e që sipas tyre e shkatërron Komanin.

Komani, një udhëkryq
Në muajin dhjetor, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë pranë Ministrisë së Kulturës miratoi kalimin e linjës së tensionit të lartë mbi sitin arkeologjik të Komanit. Bëhet fjalë për disa shtylla që kalojnë në zonën B të sitit, zonë në të cilën ligji i trashëgimisë lejon ndërtime/ a ndërhyrje, zonë po ashtu, që sipas të njëjtit ligj, ka më pak potencial se zona arkeologjike A, në të cilën nuk lejohet absolutisht asnjë ndërhyrje. Në fakt, linja është një projekt i Ministrisë së Energjetikës që pritet të realizohet me mbështetje gjermane.

Ligji ka shërbyer si arsyetim e si mburojë për vendimin e marrë, por mendimet kundra, deri më tani kanë qenë më shumë se ato në mbështetje të tij. Pos ekipit të arkeologëve që gërmojnë në Koman si Etleva Nallbani, e që kanë dalë publikisht për të shpjeguar rrezikun që i kanoset atij nga shtyllat që do vendosen në sit, kundërshtime të forta ministria ka gjetur edhe nga Forumi i Trashëgimisë. Ky i fundit, në një konferencë për mediat, ku folën arkitekti Arben Biçoku si anëtar i tij, dhe gazetarja Anila Basha e ish-drejtori i KESH Gjergj Bojaxhiu, si bashkëdrejtues të forumit, ka bërë me dije efektet e dëmshme të kalimit të linjës, dhe ka këmbëngulur se do ti shkojnë çështjes deri në fund. Prej asaj dite, konsultat e takimet në zyra nuk kanë munguar, megjithatë, duket se deri tani ujërat janë ende të palëvizshme.

Më herët, Bojaxhi qe shprehur se Ministria e Kulturës nuk duhet të shqetësohet për kostot, por për mbrojtjen e trashëgimisë, ndërsa sqarimi se linja kalon në zonën B, është krahasuar me shkatërrimin e lagjes romake në Durrës, ku leja për ndërtime u dha, pikërisht se ishte zonë arkeologjike B.
Ministria dhe ligji kanë përballë një armatë emrash të trashëgimisë dhe intelektualësh, që iu dalin kundër. Me gjithë përplasjet e deritanishme, çështja nuk duhet parë si luftë. Në këtë mes nuk duhet të ketë të fituar e të humbur, ajo që humbet a fiton në këtë rast është vetëm Komani mesjetar (si sit që sjell dëshmi të vijimësisë iliro-arbërore), e me Komanin, shumë prej nesh.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb