ELBASAN-Nga mesdita e kësaj të diele, si pasojë e përkeqësimit të motit të shoqëruar edhe me reshje të dendura dëbore nga lartësia 400 m mbi nivelin e detit janë shfaqur problemet e para serioze në qarkun e Elbasanit. Një pjesë e rrugëve të fshatrave malorë të bashkive Librazhd, Përrenjas, Gramsh dhe Elbasan janë shumë të vështira për qarkullimin e automjeteve.

Gazetari Fatmir Popja raporton per ‘BalkanWeb’ se aktualisht qarkullimi në aksin Përrenjas-Qafë-Thanë është normal edhe pse bien reshje të shumta dëbora dhe policia ka paralajmëruar përdoruesit e rrugës që të kenë në gatishmëri zinxhirët e makinave, pasi nuk do lejohen të qarkullojnë në mungesë të tyre sepse bëhen shkak për aksidente dhe bllokim të qarkullit.


Ndërkohë rruga kombëtare Librazhd-Bulqizë në segmentin Shkalla e Lunikut-Steblevë-Ura e Çerenecit është e kalueshme me zinxhirë. Po kështu reshje dëbore me intensitet të ulët nga ora 15:00 po bien edhe në qytetet Përrenjas e Librazhd. Ne njësinë Administrative Orenjë dhe në fshatrat Steblevë e Qarrishtë në bashkinë Librazhd disa lagje janë pa energji elektrike pasi janë shembur shtyllat e Tensionit të mesëm dhe atij të ulët duke shkatërruar disa km përcjellësa. Për riparimin e tyre po punohet pa ndërprerje nga OSHEE për riparimin e linjave të shkatërruara dhe rikthimin e energjisë.

Sektori i Emergjencave Civile në Prefekturën e Elbasanit ka konfirmuar gatishmërinë maksimale të institucioneve shtetërore për përballimin me sukses të çdo situate emergjente që mund të krijohet nga kushtet e vështira të motit të keq të pritshëm.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: