Policia franceze po kontrollon disa fabrika të kompanisë së produkteve të qumështit ‘Lactalis’ si pjesë e hetimit për cilësinë e qumështit të bebeve, shkruan BBC. Më shumë se 12 milionë kuti me qumësht pluhur për bebet u tërhoqën nga 83 vende pas shpërthimit të salmonelës. Shumë prindër kanë paraqitur paditë pasi fëmijët e tyre u sëmurën pasi pinë qumështin e përgatitur nga Lactalis.

Fabrikat e kontrolluara përfshijnë edhe fabrikën në Craon, në veri-perëndim të Francës, e cila u mbyll muajin e kaluar pasi mendohet se kontaminimi ka filluar në një nga kullat e saj të tharjes.

Zëdhënësi i Lactalis Michel Nalet konfirmoi se policia kishte kontrolluar fabrikën Craon. “Siç kemi thënë edhe më parë, Lactalis po bashkëpunon me autoritetet e drejtësisë dhe do të sigurojë çdo gjë që është e nevojshme për një zhvillim të plotë të hetimit”, tha zëdhënësi për agjencinë e lajmeve AFP.
Sipas mediave franceze, dhjetra policë janë parë duke hyrë në zyrat e kompanisë ‘Lactalis’ në Laval.
Deri tani, të paktën 37 fëmijë janë raportuar të sëmurë në Francë, një rast i raportuar në Spanjë dhe një rast i pakonfirmuar në Greqi.

Grupi Lactalis, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të produkteve të qumështit, thotë se kontaminimi mund të jetë shkaktuar nga punimet e rinovimit në fabrikën Craon. Drejtori Ekzekutiv i kompanisë ‘Lactalis’, Emmanuel Besnier, në një intervistë për gazetën franceze ‘Journal du Dimanche’ mohoi se kompania ishte përpjekur të fshihte skandalin me produktet e saj.
(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb