Nga Erjon Skëndaj
Shqipëria vijon të mbajë vendin e fundit në Europë për shërbimet e specializuara që ofron ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuar. Ndërkohë shifrat e dala nga një studim i fundit i World Vision tregojnë një gjendje edhe më alarmante sesa deklaron qeveria përmes institucioneve të linjës. Nga studimi i shtrirë në 10 bashki është zbuluar se vetëm 7.8% e fëmijëve të kësaj kategorie rezultojnë përfitues de fakto të shërbimeve të specializuara.

“Vetëm 7.8% e fëmijëve kanë marrë shërbime të specializuara. Ndaj gjetjet në studimin e parë kombëtar mbi prevalencën e aftësisë së kufizuar tek fëmijët 2 deri në 17 vjeç na vënë përpara përgjegjësisë që të përballemi dhe të ndërhyjmë për të ndërtuar politika, shërbime, praktika e programe, veçanërisht në nivel komunitar, që do të ndryshojnë jetën e fëmijëve”, tha Kristina Voko autore e studimit.

Në përmbyllje të studimit të realizuar nga organizata ndërkombëtare e fëmijëve World Vision kanë asistuar edhe përfaqësues të qeverisë që kanë paraqitur një tablo shumë më pozitiviste për situatën.
Në kontradiktë me sa deklaron ekzekutivi përmes ministrisë së shëndetësisë dhe mirëqenies sociale studimi del në përfundimin se në 66% të rasteve fëmijët PAK i përkasin familjeve të varfra dhe ekstremisht të varfra që mbijetojnë me ndihmë ekonomike. Ky fakt vlerësohet si shkaku kryesor që i pamundëson këta fëmijë që të aksesojnë shërbimet speciale që ndodhen kryesisht të grupuara në zona urbane.

“Plot 55% e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara, pohojnë se e kanë shumë të vështirë të përballojnë shpenzimet për marrjen e shërbimeve shoqërore dhe shëndetësore që u duhen fëmijëve të tyre. Në zonat e tyre të banimit këto shërbime mungojnë dhe në 58% të rasteve diagnostikimi është bërë nga mjeku i familjes dhe jo nga specialistët. Por, veç mungesës së shërbimeve dhe përshtatjes së tyre sipas nevojave të familjes, në 66% të rasteve këta fëmijë jetojnë në familje me të ardhura të ulëta. Arsimi mbetet një tjetër pikë kritike. 25 % e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk ndjekin një institucion të arsimit parauniversitar”, tha Eljona Elmazi, Drejtore e Ëorld Vision për Balkanin Perëndimor.

Dy muaj më parë News24 denoncoi skandalin e vdekjes së një vajze 13-vjeçare në fshatin Berishë të Pukës që sipas prindërve nuk mori asnjë shërbim mjekësor.

Babai i vajzës akuzoi publikisht për neglizhencë mjekët e zonës si dhe Shërbimin Social për ndërprerjen e ndihmës ekonomike dhe të kempit të djalit që vuan nga epilepsia.

Vetë kryefamiljari deklaroi pas ngjarjes së rëndë se e kish pasur të pamundur ekonomikisht që të ndiqte burokracitë shkresore në Pukë në Shkodër apo në Tiranë që të mundësonte përfitimet sociale që i takojnë me ligj si një familje ekstremisht e varfër më një fëmijë me aftësi të kufizuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb