SARANDË- Partia Demokratike e Sarandës deklaron se administrata publike në këtë qytet po kërcënohet që të marrë pjesë në takimet e kryeministrit Edi Rama.

Këtë fundjavë, një pjesë e qeverisë dhe deputetë të zonës do të jenë në Vlorë e Sarandë për turin e llogaridhënies publike. Ndërkohë që PD dega Sarandë thotë se drejtues të institucioneve në këtë qytet kanë ushtruar presion ndaj punonjësve duke i detyruar të jenë në takimet e kryeministrit.

PD Sarandë i bën thirrje të distancohen nga presionet, ndërkohë që ka një apel edhe për ministren e Drejtësisë.

DEKLARATA E PLOTË
Gjatë gjithë ditës së sotme, drejtues të institucioneve të qytetit të Sarandës, kanë ushtruar presion ndaj administratës publike duke i detyruar të marrin pjesë nesër në takimet që Edi Rama do të kryejë në Sarandë, edhe pse ato janë gjatë orarit zyrtar.
Presioni ka shkuar deri tek kërcënimi për vendin e punës. Ndërkohë, në mënyrë krejt anti-ligjore vazhdojnë të firmosen në ZVRPP statuse për leje legalizimesh si dhe dosje me shkelje, të cilat po kalohen për qoka politike.
Partia Demokratike dega Sarandë, i bën thirrje drejtuesve të institucioneve, të distancohen urgjentisht nga presionet ndaj administratës publike.
I bëjmë thirrje Ministres së Drejtësisë, të shkarkojë menjëherë nga detyra Drejtorin e komanduar të ZVRPP Sarandë dhe Prokurorisë të nisë hetimet e menjëhershme për dosjet e firmosura prej 20.06.2018.
Larg duart nga administrata, larg duart nga firmat e paligjshme!
Dita e gjykimit nuk është e largët!
Nuk do ketë lum t’ju laje nesër, ndaj distancohuni sot!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb