TIRANE- Ndërkohë që Tirana është e përmbytur nga reshjet e shiut kryebashkiaku Veliaj po udhëton drejt një vendi ishullor aziatik si Sri Lanka. Zërat u ngritën pas një fotoje që po qarkullon në rrjetet sociale, ku Veliaj shfaqet në avion, ndërsa mësohet se kryebashkiaku do të marrë pjesë në një forum ekonomik dy ditor që organizohet në datat 7-­8 janar.

Por zërat se Veliaj është jashtë Tiranës i ka shtuar edhe deputeti i PD-së, Gert Bogdani. I ftuar në rubrikën opinion në News 24 ai e quajti nënkryetarin Arbjan Maznikun kryetar të bashkisë në detyrë, pasi sipas tij Veliaj ka ikur, ka lënë detyrën.

FORUMI
Takimi ku merr pjese Veliaj eshte realizuar me iniciativën e kryeministrit të këtij vendi, Ranil Wickremesinghe dhe organizohet nga George Soros, themelues/president i Fondacionit Shoqëri e Hapur.

Në forum janë ftuar mbi 300 persona që janë pjesë e shoqërisë së biznesit në Sri Lanka, politikanë, pjesëtarë të sektorit publik si dhe personalitete të huaja mes të cilëve dhe Veliaj.
Mësohet gjithashtu se Kreu i Bashkisë së Tiranës do të mbajë një fjalim gjatë diskutimeve për temën e mundësive dhe sfidave për zhvillimin ku do të japë shembullin sesi është organizuar procesi i urbanizimit në Shqipëri. Nuk dihet se në çfarë pikash do ta fokusoi Veliaj fjalën e tij, por në një kohë që ai po udhëton drejt këtij vendi ishullor aziatik, Tirana është e përmbytur nga reshjet e shiut.

“Ndërkaq, në mbrëmje, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka udhëtuar me fluturimin e fundit për të përfaqësuar Tiranën në një nga forumet më të rëndësishme ekonomike. Veliaj është ftuar nga Qendra për Zhvillimin Ndërkombëtar (Center for International Development) e Universitetit të Harvardit, si një nga folësit kryesorë në Forumin Ekonomik që këtë vit mbahet në Sri Lanka. Veliaj është përzgjedhur si një administrator i suksesshëm në qeverinë qendrore si Minister i Punës, e menaxher i aftë në Bashkinë e Tiranës, duke e rikthyer sërish Tiranën në vëmendjen ndërkombëtare pas 4 vitesh harresë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës është ftuar në një panel me Nobelistin e Ekonomisë Joseph Stiglitz, Columbia School of Business, George Soros – president i Fondacionit për Shoqëri të Hapur, Alan Hirsch, Presidenca e G20 & Ricardo Hausman, drejtor i CID i Harvard Kennedy School. Udhëtimi i Kryetarit të Bashkisë zgjat 2 ditë vajtje-ardhje dhe shpenzimet mbulohen nga organizatorët”, deklaron Bashkia e Tiranës.

PD: VELIAJ BRAKTISI DETYREN PER NJE UDHETIM NE SRI LANKA
Edhe deputetë të PD dhe këshilltarë të Këshillit Bashkiak kanë parë sot nga afër situatën në zona të ndryshme të qytetit të Tiranë ku kanë kërkuar ndërhyrjen e menjehërshme për t’u adhur në ndihmë banorëve, ndërsa shprehen se “në mënyrë të pacipë, kryebashkiaku Veliaj, edhe pse e dinte se situata do të ishte e rëndë, braktisi detyrën për një udhetimi luksi në Sri Lanka”

Banorët: Kemi gjashtë muaj pa drita, pa ujë, pa asnjë lloj gjëje. Tani ne rrezikojmë se nuk i dihet se çfarë do të ndodhë me lumen. Të na vijë kryetari i Bashkisë sepse neve na mashtron, bën dallime raciste. Duam kryetarin e Bashkisë të na vijë këtu. Asnjë ndihmë ekonomike, jena njerëz hallexhinj pa punë vet i pestë.

“Banorët kanë kërkuar këtu prezencën e kryebashkiakut Veliaj ose kryeministrit, po asnjëri nga këta nuk ndodhet në Shqipëri. Veliaj në Siri Lanka kurse kryeministri në Majemi për të bërë pushime. Sikurse edhe e shikoni, ky lumë nga momenti në moment po del nga shtrati dhe ka lënë në mëshirë të fatit me dhjetra e dhjetra familje, familje në nevojë, familje me probleme. Zëvendëskryebashkiaku i Tiranës ndërkohë nuk po bën gjë tjetër veçse po bën xhiro rrotull Lanës sikur vetëm atje ka njerëz dhe këtu është zonë e pabanuar. Ndërkohë që kemi me dhjetra mijëra banorë në zonat periferike të Tiranës si këtu afër Bregut të Lumit që rrezikojnë nga momenti në moment. Asnjë punëtor i Bashkisë nuk ndodhet sot këtu, një pjesë sepse nuk janë aktivizuar, një pjesë tjetër sepse janë hequr nga puna. Në këto momente, Tirana dhe kjo zonë është në mëshirë të fatit vetëm duke iu lutur Zotit të mos bjerë më shi”, deklaroi Mateo Spaho.

Përgjegjës direkt për këtë situatë të rëndë në Tiranës është Edi Rama i cili vazhdon i qetë pushimet në Majemi dhe Erion Veliaj të cilët në mënyrë kriminale bllokuan projektet e ish kryebashkiakut Basha për rehabilitimin e Lumit të Tiranës dhe ndërtimin e Bulevardit të ri. Dy projektet strategjike të zotit Basha do ta zgjidhnin këtë problematikë për zonën e Bregut të Lumit.

“Nëqoftëse tri vite më parë kryeministri i vendit Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk do të bllokonin rehabilitimin e Lumit të Tiranës dhe ndërtimin e Bulevardit të ri të Tiranës, një fond i siguruar gradis nga fondet e huaja, sot nuk do të ishim në këtë gjendje. Jo vetëm nuk do të kishim rrezik për jetë njerëzish por do të kishim dhe një vepër të re estetike më të bukur për qytetin e Tiranës. Por ata vetëm bllokojnë në mënyrë që të marrin dhe të vjedhin meritat”, u shpreh Fabian Topollaj.

Deputetët Myqerem Tafaj dhe Gerti Bogdani i kanë bërë thirrje qeverisë të evakuojë menjëherë qytetarët në rrezik dhe të mos kujtohet për qytetarët sa herë duhet t’u marre dhe qindarkën e fundit përmes taksave të rritura apo çmimit të energjisë.

Myqerem Tafaj: Para një muaji e gjysëm të gjitha familjet kanë qenë shumë të rrezikuara dhe sot janë akoma më të rrezikuara. Po shembet dheu. Lumi po i merr banesat. Duhet të evakuohen sa më shpejt familjet qe janë këtu pasi nuk ka asnjë lloj sigurie në radhë të parë për jetën.

Gert Bogdani: Kur vjen puna për ti rritur taksat, për ti rritur dritat, për ti marrë lekët qytetarëve këtë gjë e bëjnë me vrap. Ndërsa kur vjen puna për ti bërë shërbimet njerëzve, qytetarëve dhe banorëve të Tiranës, këtë gjë nuk e bëjnë asnjëherë.

LEONARD OLLI PUBLIKON BILETEN ONLINE TË VELIAJT

Pas largimit të kryebashkiakut Veliaj për në Srilanka ka reaguar edhe këshilltari demokrat i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Leonard Olli, i cili ka publikuar edhe biletat online me emrin e Veliajt. “Te drejtosh kryeqytetin nuk eshte zabavitje, por pergjegjshmeri, angazhim maksimal e mbi te gjitha permbushje e zotimeve te bera publikisht jo vetem ndaj qytetareve qe te besuan voten e tyre, por ndaj çdo qytetari. Nje nocion qe Erion Veliaj e ka deshmuar me shume zell ne keto 6 muaj se nuk e kupton. Keto bileta e deshmojne qartazi kete fakt. Asnje arsye per te braktisur detyren ne keto dite permbytjesh, asnje detyrim zyrtar, por vetem zbavitje familjare! Dhe ne nje rast te tille, do te duhet te behet transparent burimi i shpenzimeve… Te tradhetuar dhe te braktisur krejtesisht ne meshire te motit, me syte plot lutje drejtuar nga qielli, qindra familje presin shpetimin nga Zoti, se kreret e Bashkise dhe Qeverise nuk i ndihmojne dot, pasi jane te zene e pushimet familjare! Nuk me turp!”, shkruan Olli

Bileta Veliaj

Bileta, Veliaj

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: