Kandidati republikan për president Donald Trump inkurajoi Rusinë të piratojë serverin email të rivales së tij demokrate Hillary Clinton, për të gjetur “30,000 emailet që kanë humbur” nga koha kur ajo ishte sekretare e shtetit.

“Do të ishte interesante të shihnim. Rusi, nëse jeni duke dëgjuar, unë ju them këtë: Shpresoj që të jeni në gjendje të gjeni 30.000 emailet që kanë humbur. Ndoshta do të shpërbleheni mirë nga shtypi ynë”, tha Trump përpara gazetarëve.

Ai tha se Moska “ndoshta” i ka emailet që zonja Clinton i konsideronte private dhe që i ka fshirë nga serveri privat që ajo përdorte, kur ishte kryediplomate e vendit nga viti 2009 deri në 2013, gjatë mandatit të parë të Presidentit Barack Obama.

“Ata ndoshta i kanë emailet.Do të doja që këto emaile të publikoheshin. Nëse Rusia apo Kina ose ndonjë vend tjetër i ka ato emaile, sinqerisht do të doja t’i shihja ato”, tha Trump.

Trump i bëri komentet në një konferencë për gazetarët në vendpushimin e tij të golfit në Florida, ku ai minimizoi lidhjet e tij me Rusinë.

Fushata e rivales Clinton u përgjigj se Trump po inkurajon në mënyrë aktive spiunazhin rus.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb